Sondazhet e fundit tregojnë se aleanca e qendrës së djathtë CDU/CSU e konservatorit Merz kryeson me 29,5 për qind të mbështetjes së votuesve, duke mbajtur më shumë se 14 pikë epërsi ndaj Partisë Social Demokratike (SPD) të kancelarit Scholz.
Gjermanët po drejtohen në kutitë e votimit në zgjedhjet mbarëkombëtare për të zgjedhur një parlament dhe qeveri të re, duke shënuar një votim historik që mund të ri-formësojë peizazhin politik të vendit, raporton Anadolu.
Qendrat e votimit u hapën në orën 8 të mëngjesit me orën lokale në pothuajse 90 mijë lokacione në të gjithë vendin dhe do të mbyllen në orën 18:00 me orën lokale.
Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 59 milionë qytetarë gjermanë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje, përfshirë 2.3 milionë votues për herë të parë. Numri më i madh i elektoratit është mosha e vjetër, me 42 për qind të votuesve të moshës 60-vjeç e më lartë, krahasuar me vetëm 13 për qind nën moshën 30-vjeç.
Mbi 7 milionë votues me të drejtë vote kanë prejardhje emigrante, përfshirë mbi 1 milion shtetas gjermanë me origjinë turke.
Derisa disa gjermanë tashmë kanë dorëzuar fletëvotimet e tyre me postë, mijëra qytetarë që jetojnë jashtë vendit kanë raportuar në rrjetet sociale se dokumentet e tyre të votimit me postë nuk kanë mbërritur në kohë.
Konservatori Merz shihet si i preferuar
Kristian Demokratët (CDU/CSU) të liderit të opozitës Friedrich Merz janë të favorizuar për të fituar zgjedhjet, megjithëse nuk pritet të fitojnë ulëse të mjaftueshme për të formuar një qeveri si parti e vetme.
Të dhënat e fundit të sondazhit nga INSA tregojnë se aleanca e qendrës së djathtë CDU/CSU kryeson me 29,5 për qind të mbështetjes së votuesve, duke mbajtur më shumë se 14 pikë epërsi ndaj Partisë Social Demokratike (SPD) të kancelarit Olaf Scholz.
Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë ka arritur 21 për qind në sondazhin e fundit, duke arritur performancën e saj më të fortë në zgjedhje federale deri më tani dhe duke u pozicionuar si forca e dytë më e fuqishme politike në vend.
Sondazhi i publikuar të enjten tregoi se pothuajse 27 për qind e votuesve mbeten të pavendosur vetëm disa ditë para zgjedhjeve, të cilët u shprehën të pasigurt nëse do të votojnë ose cilën parti politike do të mbështesin.
Sistemi kompleks zgjedhor i Gjermanisë
Kancelari i Gjermanisë zgjidhet në mënyrë indirekte, me votuesit që zgjedhin anëtarët e ri të parlamentit, të cilët më pas zgjedhin kancelarin e ri me një votim mes tyre.
Nëse partia fituese siguron shumicë në parlament ose arrin të ndërtojë një qeveri koalicioni me një shumicë absolute, kandidati i saj bëhet kancelari i ardhshëm i vendit.
Gjermania përdor një sistem votimi të përzier ku secili qytetar hedh dy vota. Me votën e tyre të parë, ata zgjedhin një kandidat specifik për të përfaqësuar rajonin e tyre lokal. Vota e tyre e dytë mbështet një parti politike, duke përcaktuar përfaqësimin total të partisë në parlamentin prej 630 vendesh.
Qeveria e koalicionit tre-partiak e kancelarit Scholz, e përbërë nga SDP-ja, Të Gjelbrit dhe FDP-ja, u rrëzua në muajin nëntor për shkak të mosmarrëveshjeve mbi buxhetin, programet e mirëqenies, objektivat klimatike dhe lidhur me atë nëse do të merrte borxhe të reja për investime.
Në vend që të drejtonte një qeveri të pakicës, Scholz zgjodhi zgjedhjet e parakohshme, duke deklaruar se Gjermania kërkon një qeveri të fuqishme dhe të qëndrueshme për të trajtuar sfidat e saj urgjente.