Gjermania ka vendosur dy bateri të sistemit Patriot në Rzeszów, së bashku me rreth 200 ushtarë gjermanë, për të mbrojtur bazën logjistike ushtarake nga e cila ndihma ushtarake perëndimore dërgohet në Ukrainë.
Për të mbrojtur bazën logjistike në qytetin kufitar polak Rzeszów, janë dislokuar dy bateri të sistemit të mbrojtjes ajrore MIM-104 Patriot, të mbështetura nga një kontingjent prej 200 ushtarësh.
Sipas mediave gjermane, të dy bateritë pritet të jenë operacionale nga data 27 janar, dhe është planifikuar që dislokimi i tyre në këtë zonë të zgjasë të paktën gjashtë muaj.
Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Rzeszów, si një qytet pranë kufirit me Ukrainën, është shndërruar në një pikë kyçe për kalimin e pajisjeve ushtarake perëndimore për forcat ukrainase.
Gjithashtu, aeroporti Rzeszów-Jasionka është veçanërisht i rëndësishëm në zinxhirin e transportit, ku vlerësohet se 90 deri në 95 për qind e armëve dhe pajisjeve ushtarake perëndimore për Ukrainën transportohen përmes këtij aeroporti.
Në një deklaratë të fundit, ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius theksoi se sistemet Patriot janë të nevojshme për mbrojtjen e Gjermanisë, duke sugjeruar që vendet e tjera që përdorin sistemin Patriot duhet të ofrojnë zëvendësim ose mbështetje.
Mesatarisht, çdo bateri e sistemit Patriot përfshin nga gjashtë deri në tetë lëshues me radarë dhe automjete shoqëruese, duke siguruar një mbështetje të rëndësishme për mbrojtjen e hapësirës ajrore.