Gjermani, ambientalistët kullosin lopët në kopshtin e parlamentit

Zëdhënësi i fushatës së organizatës “Greenpeace”, Lasse van Aken, tha për Anadolu se mund të duket i çuditshëm lëshimi i lopëve në lëndinë në mes të Berlinit, megjithatë, tha ai, “habitati natyror i lopës është kullota”

Organizata ambientaliste “Greenpeace” dhe Grupi i Punës për Bujqësinë Rurale (AbL) sollën tufë lopësh në zonën me bar përpara ndërtesës së Bundestagut gjerman në kryeqytetin Berlin për të protestuar kundër mbajtjes së lopëve në stalla, raporton Anadolu.

Protestuesit lëshuan tufën e lopëve për të kullotur në zonën me bar përpara parlamentit, duke shpalosur një pankartë ku shkruhej “Lopët në kullotë”.

Zëdhënësi i fushatës së organizatës “Greenpeace”, Lasse van Aken, tha për Anadolu se mund të duket i çuditshëm lëshimi i lopëve në lëndinë në mes të Berlinit, megjithatë, tha ai, “habitati natyror i lopës është kullota”.

“Fatkeqësisht, shumica e lopëve në Gjermani qëndrojnë në stalla 70 për qind të vitit. Duam të tërheqim vëmendjen se lopa i përket kullotës”, tha ai.

Aken i kërkoi ministrit Gjerman të Bujqësisë, Cem Özdemir, të iniciojë një program mbarëkombëtar mbështetës për kullotat e lopëve, duke thënë: “Kjo gjë është e mirë për klimën, biodiversitetin dhe lopët, por kostoja është e lartë. Kjo është arsyeja pse ne bëjmë thirrje për një program mbështetës në mënyrë që fermerët të kenë mundësi ta arrijnë një gjë të tillë”.

Ndërkaq, Matthias Stührwoldt, një fermer në rajonin Schleswig Holstein, tha: “Ky është një veprim i jashtëzakonshëm. Lopët e mia kanë qenë në kullotë për rreth katër javë dhe unë i fus ato brenda (stallës) vetëm për mjelje. Mendoj se kjo është një çështje e lënë pas dore. Lopa në kullotë është e mirë për të gjithë. Kur dëgjova për këtë protestë, thash në vete se duhet të shkoj edhe unë. Lopët në lëndinën para ndërtesës së parlamentit federal, është një tablo e jashtëzakonshme”.

Stührwoldt deklaroi se deri më tani nuk ka pasur mbështetje për kullotjen e lopëve në kullosa.

“Politikanët nuk kanë bërë asgjë për të mbështetur lëshimin e lopëve në kullota”, tha ai.

Kategoritë
BotaLajme