Gjermani, anulohen fluturimet nga aeroporti i Berlinit për shkak të grevës

Greva paralajmëruese e stafit të sigurisë detyroi aeroportin që të anulojë të gjitha nisjet e planifikuara për sot.

Aeroporti Berlin-Brandenburg i Gjermanisë anuloi rreth 300 fluturime sot pasi stafi i sigurisë filloi një grevë njëditore që lidhet me mosmarrëveshjet e vazhdueshme rreth pagave dhe kushteve të punës.

Greva filloi në orën 3:30 të mëngjesit me kohën lokale (01:30 GMT) dhe do të vazhdojë deri në mesnatë (2200 GMT), sipas sindikatës “ver.di”.

“Për shkak të grevës paralajmëruese të stafit në kontrollet e sigurisë së aviacionit, sot nuk është e mundur të realizojmë asnjë nisje”, thuhet në deklaratën e operatorit të aeroportit.

“Gjithashtu mund të ndikohen edhe fluturimet e mbërritjes nga anulimet, ndërsa mund të ndodhin edhe ndryshime në orarin e fluturimeve për shkak të grevës paralajmëruese”, shton deklarata.

Pasagjerët u këshilluan të kontaktojnë kompanitë ajrore ose agjencitë e udhëtimit për informacione lidhur me rezervimin dhe opsionet alternative të udhëtimit.

Sindikata, e cila organizoi disa greva javën e kaluar në aeroportet e tjera kryesore, po kërkon rritje pagash për punë jashtë orarit dhe pagesa shtesë për punën gjatë fundjavave, festave publike dhe gjatë ndërrimeve të natës.

Në raundin e fundit të negociatave në fillim të këtij muaji midis sindikatës dhe Shoqatës Federale të Kompanive të Sigurisë së Aviacionit (BDLS) nuk u arrit ndonjë përparim i rëndësishëm.

Raundi i ri i negociatave pritet të zhvillohet më 27 dhe 28 prill.

Kategoritë
BotaLajme