Gjermani: Arrestohet një 31-vjeçar serb i dyshuar për vrasjen e grave të moshuara

Policia gjermane njoftoi se dje ka arrestuar një 31-vjeçar serb i dyshuar për vrasjen e të moshuarve në jugperëndim të vendit.

Autoritetet në shtetin federal të Baden-Württemberg theksuan se personi i arrestuar erdhi në Gjermani me gruan dhe dy fëmijët e tij në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai dyshohet për vrasjen e një gruaje 77-vjeçare në dhjetor dhe për vrasjen e një 89-vjeçareje muajin e kaluar. Të dy viktimat jetonin në rajonin Schwäbisch Hall.

Hetuesit besojnë se i dyshuari qëndron pas tentativës së grabitjes së fundit të armatosur të një 83-vjeçari. Gjithashtu, po hetohet nëse ai ka lidhje me vrasjen e ndodhur në vitin 2020.

Gjatë hetimeve u gjetën sende të përdorura gjatë kryerjes së krimit, si dhe gjurmë të ADN-së të personit të arrestuar. Autoritetet nuk komentuan motivet e mundshme të vrasjes, raporton Deutsche Welle (DW).

Kategoritë
BotaLajme