Gjermani, ish-kancelari Schröder padit Parlamentin Federal

– Avokatët e ish-kancelarit thonë se në vendimin e marrë, është e qartë se ka arsye të tjera dhe se mënyra e dhënies së vendimit rikujton “një feudalizëm absolut” dhe se kjo nuk duhet të ndodhë në një vend demokratik

BERLIN (AA) – Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder njoftohet se ka ngritur padi ndaj Parlamentit Federal (Bundestag) kundër heqjes së të drejtave të veçanta të dhëna ndaj tij pas detyrës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Michael Nagel, avokati i Schröder-it, në një deklaratë për Agjencinë Gjermane të Lajmeve DPA theksoi se ish-kancelari 78 vjeçar ka ngritur padi ndaj Parlamentit Federal në Gjykatën Administrative të Berlinit dhe ka kërkuar që atij t’i jepet sërish zyra bashkë me punonjësit.

Edhe në deklaratën e dërguar në gjykatë nga zyra e avokatisë pretendohet se mbyllja e zyrës dhe ndërprerja e pagesave që Komisioni i Buxhetit të Parlamentit Federal siguron për zyrën e Schröder-it në Parlamentin Federal është në kundërshtim me ligjin.

Në deklaratë sqarohet se Komisioni mbron idenë se Schröder “nuk ka përmbushur detyrat”, duke shtuar se në vendim nuk janë përcaktuar se çfarë janë këto detyra dhe se nuk shpjegohet se si përcaktohet nëse janë përmbushur këto detyra apo jo.

Avokatët e ish-kancelarit thonë se në vendimin e marrë nga Komisioni, është e qartë se ka arsye të tjera dhe se mënyra e dhënies së vendimit rikujton “një feudalizëm absolut” dhe se kjo nuk duhet të ndodhë në një vend demokratik.

Ish-kancelari u kritikua për afërsinë me presidentin rus Vladimir Putin dhe për punën në disa kompani ruse, pas luftës që Rusia filloi kundër Ukrainës. Komisioni i Buxhetit të Parlamentit Federal në muajin maj vendosi mbylljen e zyrës së caktuar për Schröder-in si dhe transferimin e punonjësve të zyrës në njësi të tjera.

Për politikanët që kanë kryer detyrën e kancelarit në Gjermani ofrohet pension në varësi të afatit të detyrës, një zyrë, punonjës, shofer dhe truprojë.

Kategoritë
BotaLajme