Gjermani, rritet kërkesa për ngrohës elektrikë për shkak të frikës nga mungesa e gazit

Për shkak të frikës se Rusia mund të ndërpresë gazin për Gjermaninë, qytetarët po blejnë masivisht ngrohës elektrikë në përgatitje për dimrin e ardhshëm.

Ngrohësit elektrikë janë shitur në dyqanet në të gjithë kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, ndërsa qytetarët po përgatiten për mungesa të mundshme të gazit në dimrin e ardhshëm.

Pronari i një dyqani të pajisjeve elektrike në Berlin tha se kanë vërejtur një rritje të shitjeve të ngrohësve elektrikë në dy muajt e fundit dhe tani janë shitur plotësisht.

Dyqani “Eisen Doring” ka shitur pajisje elektrike për gati 120 vjet në një nga lagjet luksoze të Berlinit.

Frank Doring, i cili i përket gjeneratës së tretë të familjes, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se është në një situatë ku në mënyrë rutinore u thotë njerëzve se nuk ka ngrohës elektrikë dhe se nuk mund të garantojë se kur do t’i marrin ato.

“Ne mund t’i marrim ato në shtator, tetor ose nëntor. Asnjë kompani nuk mund të na thotë nëse mund t’i dorëzojë sepse gjithçka është shitur plotësisht. Ky është një problem i madh. Të gjithë duan t’i blejnë, sepse nëse nuk keni gaz, është ftohtë në shtëpi”, tha Doring.

Petra, njëra nga klientët e tij të rregullt, kërkon edhe një ngrohës elektrik.

Ajo është e shqetësuar se nëse do të ketë një ulje të furnizimit me gaz ose një rritje të mëtejshme të çmimit të gazit, në të ardhmen do të duhet të mbështetet më shumë në energjinë elektrike.

“Kam frikë se do të ketë probleme. Nëse nuk kam ngrohje dhe nëse dikush ka probleme shëndetësore, ju duhet të paktën një banjo e ngrohtë. Mund të mos bëjmë dush me ujë të nxehtë, ndaj më duhet urgjentisht një ngrohës elektrik”, tha Petra.

Qeveria gjermane u ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë konsumin e energjisë elektrike pasi kompania ruse e energjisë ‘Gazprom’ filloi të reduktojë ndjeshëm sasinë e gazit që dërgon në vendin me ekonominë më të madhe në Evropë.

– Racionalizimi për shkak të mungesës së mundshme të gazit

Furnizimi i reduktuar i gazit nga Rusia ka shkaktuar shqetësim serioz në të gjithë Evropën mbi mundësinë që konsumi duhet të racionalizohet për industri dhe përdorim të brendshëm.

Sipas Thomas O’Donnell, ekspert i naftës dhe gazit, rrjedha aktuale e gazit është vetëm 20 për qind e kapacitetit, që do të thotë se Gjermania nuk do të jetë në gjendje të ruajë një sasi të mjaftueshme për periudhën e dimrit.

“Këtë dimër ndoshta do të na mungojë 30 për qind e gazit natyror. Kjo do të thotë që dikush nuk do ta ketë dhe se do të ketë racionalizim. Konsumatorët do t’i ndjejnë pasojat, këtu në Berlin ose në Gjermani. Ata thanë se termostatët do të duhet të zbresin nga 22 gradë Celsius, në 17, dhe ndoshta edhe më pak”, theksoi O’Donnell.

Qeveria gjermane ka marrë disa masa për të kursyer energjinë elektrike në një kohë kur vendi, ashtu si gjithë Evropa, po përballet me një krizë energjetike.

Në kuadër të këtyre masave, ndriçimi i monumenteve dhe objekteve të tjera publike do të fiket gjatë natës.

Konsumatorët vendas dhe familjet gëzojnë mbrojtje ligjore në rast nevoje për gaz si dhe institucionet sociale dhe spitalet.

– Konsumatorët të shqetësuar për rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë

Sipas kompanisë së hulumtimit të tregut GFK, 600 mijë njësi ngrohës elektrikë janë shitur në Gjermani nga janari deri në qershor të këtij viti, që është një rritje prej gati 35 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Qytetarët e Berlinit duke folur për AA shprehën shqetësimin për rritjen e mëtejshme të kostove të energjisë dhe mundësinë e mungesës së gazit në dimër.

“Ne jemi seriozisht të shqetësuar për çmimet e gazit dhe kemi frikë se do të jetë një barrë e madhe. Megjithatë, njerëzit që nuk kanë shtëpi të mëdha, mendoj se nuk do të kenë probleme të mëdha”, tha një pensionist gjerman.

Studenti Jason tregon se ka në plan të blejë një kontejner të vogël për gaz për të përdorur burimin e energjisë për qëllime gatimi.

Në pyetjen nëse do të blinte një ngrohës elektrik, ai tha: “Jo të gjithë kanë para për këtë, mendoj se këto gjëra janë të shtrenjta. Megjithatë, unë mendoj se është një gjë e mirë për kohën në të cilën jetojmë tani, kështu që nëse keni para, blini ato”.

Kategoritë
BotaLajme