Nga Tom Fairless “Wall Street Journal”
Kassel, Gjermani – Në vitin 2016, kur qindra mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme mbërritën në Gjermani, Ingo Neupert vendosi t’i ndihmojë ata. Profesor i punëve sociale, drejtoi një program trajnimi në Gjermaninë Perëndimore për 25 refugjatë të rinj që ata të bëheshin infermierë dhe ndihmës/mjekë.
Vetëm 3 prej tyre u diplomuan në programin 4 vite e gjysmë, thotë Neupert. Në një program të dytë trajnues, pak më të shkurtër në kohë, vetëm 1/3 e kandidatëve mbërritën deri në fund. Sipas Spitalit Universitar Essen në Gjermaninë Perëndimore, ku u zhvillua edhe trajnimi dikur, projekti i ri është në pritje.
Gjermania përballet me një paradoks: Pas viteve të një emigracioni rekord, ku çdo vit kanë mbërritur aq shumë emigrantë s të popullojnë një qytet të madh, 1 në 6 njerëz në Gjermani ka lindur jashtë shtetit, krahasuar me 1 në 7 në SHBA. Por në dallim nga SHBA-ja, Gjermania po dështon të gjejë punë për të sapoardhurit, pavarësisht nga një mungesë në përkeqësim e sipër të fuqisë punëtore, e cila po e dobësohen rritjen ekonomike, raporton abcnews.al.
Ekonomistët thonë se ekonomia më e madhe e Evropës duhet të plotësojë rreth 7 milionë vende pune deri në vitin 2035, kur të dalin në pension punëtorët e moshuar. Ekspertët e kanë përmendur prej kohësh emigracionin si zgjidhje, duke thënë se Gjermania ka nevojë për rreth 400.000 emigrantë të kualifikuar çdo vit.
Deri më tani, përzierja aktuale e emigrantëve nuk po e plotëson boshllëkun. Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm një e treta e rreth 800.000 sirianëve dhe afganëve në moshë pune në Gjermani kanë një punë formale, krahasuar me 2/3 e gjermanëve, edhe pse shumica kanë ardhur më shumë se 5 vjet më parë.
Papunësia tek të huajt është rreth 12 për qind, dhe për gjermanët nën 5 për qind. Në SHBA, të huajt kanë më shumë gjasa të kenë një punë sesa vendasit. Problemi kryesor:Shumë refugjatë nuk janë të përshtatshëm për tregun e punës tejet të kualifikuar në Gjermani, dhe ky vend nuk ka qenë shumë i aftë në trajnimin e tyre.
Për ta ndryshuar këtë situatë, Berlini po planifikon të miratojë vitin e ardhshëm një sistem emigrimi të bazuar tek pikavarazhi, sipas modelit të Australisë ose Kanadasë, duke shpresuar të tërheqë të huajt më të kualifikuar. Por ekspertët janë skeptikë, raporton abcnews.al.
Edhe nëse do të ketë sukses, Gjermania ka të ngjarë të vazhdojë të pranojë një numër të madh azilkërkuesish, të cilët nuk mund t’i punësojë, të cilët do të regjistrohen në listat e gjata të përfituesve të ndihmës sociale apo do të shtojnë statistikat e krimit, ku ata tashmë janë të mbi-përfaqësuar.
“Refugjatët dhe punëtorët emigrantë do të konkurrojnë për të njëjtën infrastrukturë”- thotë Thomas Liebig, ekspert i migracionit në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, një institut ekonomik me seli në Paris. Emigrantët me vizë të rregull pune, përbëjnë aktualisht vetëm 1 në 10 nga të ardhurit e rinj në Gjermani, krahasuar me 1 në 3 në Kanada.
Një program i mëparshëm evropian për tërheqjen e të huajve të kualifikuar, i njohur si Karta Blu, tërhoqi në total rreth 70.000 punëtorë në Gjermani gjatë dekadës së fundit. Tani numri i refugjatëve po rritet sërish pas një rënie gjatë pandemisë, nxitur nga lufta në Ukrainë dhe emigracioni në rritje nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Afganistani.
Në gjysmën e parë të vitit, më shumë se 1 milion njerëz u shpërngulën në Gjermani – dukshëm më shumë se sa në vitin 2015, kur kancelarja e atëhershme Angela Merkel i mirëpriti refugjatët sirianë. Në qendrën e punës në Kassel, një qytet në Gjermaninë qendrore, Wolf-Detlef Zeising më thotë se ka pasur një vit plot tension duke trajnuar qindra refugjatë ukrainas që të hyjnë në tregun gjerman të punës.
Ai ka punësuar gjatë verës 20 përkthyes ukrainas. Stafi i tij thotë se ata po këshillojnë 60 për qind më shumë njerëz në ditë sesa në kohë normale. Megjithatë, Zeising deklaron se nuk pret që shumë nga të ardhurit të gjejnë punë në Gjermani përpara vitit 2024, për shkak të vonesave në gjetjen dhe më pas ndjekjen e kurseve të gjuhës gjermane dhe integrimit. Ndërkohë gjysma e bizneseve gjermane thonë se po shkurtojnë aktivitetet e tyre ose po zhvendosen jashtë vendit, pasi nuk mund të gjejnë mjaftueshëm punëtorë. Me një shkallë papunësie prej vegim 5.5 për qind, Gjermania është afër punësimit të plotë. “Realiteti është se ata janë refugjatë ose asgjë tjetër”- shprehet Anke Dobbeck, që drejton një kompani të sistemeve ngrohjeje dhe punimeve hidraulike në Berlinin Jugperëndimor.
Kohët e fundit ajo punësoi një të ri afgan, pasi ai përfundoi një praktikë 3 vjeçare e gjysmë me kompaninë e saj. Procesi i integrimit kërkonte “shumë forcë dhe mbështetje” thekson ajo. Afgani kishte nevojë për ndihmë me dokumente dhe për strehim. Një refugjat tjetër nënshkroi një kontratë praktike, por nuk u paraqit pas ditës së parë të punës tha Dobbeck, raporton abcnews.al.
Ndërkohë operatori gjerman hekurudhor “Deutsche Bahn”, ka punësuar rreth 26.000 punonjës të rinj këtë vit, pjesërisht për të mbushur boshllëqet në fuqinë e tij punëtore, ndërsa stafi më i moshuar del në pension. Kompania ka 900 rekrutues, dhe është duke rekrutuar në mënyrë aktive në më shumë se 10 vende, deklaron Kerstin Wagner, nënkryetare ekzekutive e kompanisë. Rreth 23 për qind e të rekrutuarve të rinj këtë vit kanë lindur jashtë Gjermanisë.
Por rekrutimi i refugjatëve është në nivele modeste. Këtë vit kompania intervistoi 3200 rekrutë të mundshëm nga Ukraina, dhe punësoi 65 prej tyre shprehet zonja Wagner. Problemi kryesor është kualifikimi profesional. Sipas institutit gjerman të statistikave, vetëm rreth 1/3 e emigrantëve sirianë në Gjermani e kanë mbaruar shkollën e mesme ose shkollën teknike, krahasuar me 70 për qind të emigrantëve që vijnë nga Polonia.
Njëherazi, punëkërkuesit përballen me pengesa të mëdha në një treg pune të ngurtë, që i mbron punonjësit aktuale, që kërkon stazhe të gjata të praktikës, dhe që rrallëherë njeh diploma të huaja, duke i detyruar shpesh edhe specialistët që të ri-kualifikohen nga e para. Helge Scheele, eksperte në zyrën e punësimit në Kassel, vlerëson se vetëm 5 për qind e klientëve të tij që u larguan nga Lindja e Mesme dhe Afrika që nga viti 2015, arritën të integroheshin si punëtorë të kualifikuar në Gjermani. Rami Alhamei, një avokat 36-vjeçar nga Damasku që jeton në qytetin Halle në Gjermaninë Lindore, ka kërkuar punë që kur mbërriti 7 vjet më parë, por pa sukses.
Ai thotë se ka dërguar rreth 500 aplikime, dhe ka shpenzuar afro 18 muaj në kurse të ndryshme të gjuhëve, integrimit dhe në IT, dhe tani flet mirë gjermanisht. Alhamei thotë se nuk mund të punojë si avokat në Gjermani pasi ka vetëm një diplomë Bachelor dhe jo Master.
Po edhe 2 të njohur të tij nga Siria që përfunduan kursin 2-vjeçar të Masterit, që është i nevojshëm për të punuar, nuk kanë gjetur ende punë. “Unë do të doja të integrohesha në Gjermani, por është shumë e vështirë”- thotë ai. Përkundër zhgënjimeve, ai synon të qëndrojë këtu me 2 vëllezërit e tij.
“Është më mirë këtu sesa në Siri, ku ka ende luftë”- thotë ai. Johannes Hoppe, psikolog në Halle, e ka ndihmuar zotin Alhamei për 3 muaj si pjesë e një projekti vullnetar lokal. Ai tha se vitet e fundit ka ndihmuar dhjetëra refugjatë të gjejnë një punë. Njëri prej tyre, një inxhinier sirian, siguroi një praktikë 3-vjeçare në Gjermaninë Jugore, por e braktisi pasi iu tha se gjermanishtja e tij nuk ishte mjaftueshëm e mirë, raporton abcnews.al
Një tjetër gjeti punë në një agjenci punësimi. Një problem tjetër:Sipas të dhënave të OECD, numri i punëtorëve nga vendet e Bashkimit Evropian si Polonia, të cilët priren të jenë më të kualifikuar se refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Afrika, është ngadalësuar ndjeshëm që nga fillimi i pandemisë. “Përderisa kaq shumë njerëz vijnë këtu për arsye humanitare, nuk ka shumë vend për migrim të kualifikuar për punë”- thotë Udo Marin, drejtor i menaxhimit në Shoqatën e Tregtarëve dhe Industrialistëve të Berlinit.
Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.