Gjermania kërkon nga Irani të kthehet në marrëveshjen bërthamore, pavarësisht kundërshtimit të Izraelit

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me kryeministrin izraelit, kancelari Scholz theksoi se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, por nuk mbështeti kërkesën e Izraelit për t’i dhënë fund bisedimeve me Iranin

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike të krizës bërthamore të Iranit, pavarësisht kundërshtimit të fuqishëm të Izraelit për një marrëveshje të re, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me kryeministrin izraelit, Yair Lapid, kancelari Scholz theksoi se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, por nuk mbështeti kërkesën e Izraelit për t’i dhënë fund bisedimeve me Iranin.

“Një marrëveshje funksionale ndërkombëtare për të kufizuar programin bërthamor të Iranit është mënyra e duhur”, tha Scholz.

Ai gjithashtu shprehu keqardhje që Teherani akoma nuk i ka dhënë një përgjigje pozitive propozimeve të Bashkimit Evropian (BE) për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Pasi foli kancelari gjerman, kryeministri Lapid paralajmëroi se Irani po përdor bisedimet për të fituar kohë, ndërkohë që përpiqet të bëhet një shtet bërthamor.

“Është koha për t’u larguar nga negociatat e dështuara me Iranin, ata nuk mund dhe nuk do të arrijnë qëllimin që të gjithë ne e ndajmë, për të ndaluar Iranin që të bëhet një armë bërthamore”, tha Lapid.

Ai bëri thirrje për një strategji të re për të ndaluar programin bërthamor të Iranit.

“Një Iran bërthamor do të destabilizojë Lindjen e Mesme dhe do të krijojë një garë armësh bërthamore që do të rrezikojë të gjithë botën. Kthimi në marrëveshjen bërthamore, në kushtet aktuale, do të ishte një gabim kritik”, theksoi kryeministri izraelit.

Kategoritë
BotaLajme