Gjermania në prag të përçarjes: Dhjetëra mijëra njerëz në protesta kundër liderit që theu premtimin e vitit 1949

Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugë në mbarë Gjermaninë gjatë fundjavës për të protestuar kundër liderit të qendrës së djathtë dhe favoritit në zgjedhjet e 25 shkurtit, për shkak të propozimit të tij për rregulla të reja të rrepta mbi migracionin, të cilat u mbështetën nga partia e ekstremit të djathtë.

Protestuesit në Hamburg, Mynih, Këln dhe Lajpcig deklaruan se Friedrich Merz dhe Demokratët Kristianë kanë thyer një premtim të pashkruar që ekziston që nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore, pas zgjedhjeve të para demokratike të vitit 1949. Ky premtim përfshin që të gjitha partitë demokratike të mos kalojnë asnjë ligj apo rezolutë në parlament me mbështetjen e partive nacionaliste të ekstremit të djathtë, siç është Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Merz të mërkurën propozoi një rezolutë jo të detyrueshme në parlament, duke kërkuar që Gjermania të refuzojë një numër shumë më të madh migrantësh në kufijtë e saj. Masën e mbështeti AfD dhe ajo kaloi me vështirësi.

Merz ka qenë i vendosur të tregojë angazhimin e bllokut të tij të qendrës së djathtë, Unioni, që përfshin gjithashtu edhe partinë CSU të Bavarisë, për reduktimin e migracionit të parregullt pas një sulmi vdekjeprurës me thikë muajin e kaluar, të kryer nga një azilkërkues i refuzuar.

Megjithatë, të premten parlamenti gjerman me një shumicë të ngushtë rrëzoi ligjin që parashikonte rregulla më të ashpra për migracionin, duke penguar që të bëhej projektligji i parë i miratuar falë mbështetjes së partisë së ekstremit të djathtë. Ky propozim, megjithatë, është bërë pikë qendrore e debatit mbi qëndrimin e favoritit të zgjedhjeve ndaj ekstremit të djathtë.

Protestuesit dhe politikanët e majtë e akuzuan Merz-in se ka thyer një tabu dhe ka minuar “murin mbrojtës” të partive kryesore kundër AfD-së. Ai këmbëngul se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar dhe se nuk ka bashkëpunuar e as do të bashkëpunojë me këtë parti.

Qindra protestues përkohësisht bllokuan zyrat e Demokratëve Kristianë në qytete të ndryshme, ndërsa të dielën pasdite deri në 20,000 njerëz u mblodhën në një protestë të madhe në Berlin.

Në Këln, njerëzit protestuan në 350 anije në lumin Rhine, raportoi agjencia gjermane e lajmeve dpa. Anijet u vendosën përballë peizazhit të qytetit me katedralen e njohur, ndërsa protestuesit mbanin parulla si “Jo racizmit” dhe “Për demokracinë dhe diversitetin”.

Anketat tregojnë se Unioni i qendrës së djathtë, i cili propozoi rregulloren për migracionin, udhëheq me rreth 30% mbështetje, ndërsa AfD është në vendin e dytë me rreth 20%, dhe Socialdemokratët e të Gjelbrit janë prapa.

Merz duket se po llogarit të fitojë mbështetje duke paraqitur Unionin si të vendosur për të zbatuar një qasje më të rreptë ndaj migracionit, ndërsa njëkohësisht dobëson atraktivitetin e AfD-së anti-emigrante dhe bën që partitë në pushtet – të cilat pretendojnë se kanë bërë mjaft për këtë çështje – të duken të shkëputura nga shqetësimet e qytetarëve.

AfD, parti e themeluar para 12 vitesh, hyri për herë të parë në parlamentin kombëtar në vitin 2017, duke përfituar nga vendimi i ish-kancelares Angela Merkel për të lejuar hyrjen e një numri të madh migrantësh dy vjet më parë.

Një vit më parë, qindra mijëra njerëz gjithashtu protestuan gjatë demonstratave disa javore në të gjithë Gjermaninë kundër fuqizimit të ekstremit të djathtë dhe planeve të supozuara për deportimin e miliona emigrantëve, përfshirë disa me pasaporta gjermane.

Kategoritë
BotaLajme