Gjermania nuk pret vendim për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në Samitin e ardhshëm të NATO-s

Në deklaratë theksohej se do të ishte mirë të ndërmerreshin hapa konkretë në Madrid, por “duke pasur parasysh dimensionin e tij historik, nuk do të ishte katastrofike të pritej edhe disa javë për këtë”

Gjermania reduktoi pritshmërinë që Suedia dhe Finlanda do t’i bashkohen aleancës në Samitin e Liderëve të NATO-s që do të mbahet në Madrid të Spanjës më 29-30 qershor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga qarqet qeveritare gjermane para Samitit të Liderëve të NATO-s, thuhet se qeveria gjermane ka mbështetur kërkesat e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.

Türkiye, nga ana tjetër, ka deklaruar se ka ende çështje të hapura në lidhje me luftën kundër terrorizmit, thuhet në deklaratë, e cila shton se Gjermania është e mendimit se “një dialog konstruktiv midis aleatëve të mundshëm dhe partnerëve aktualë të ngushtë do të jetë i nevojshëm dhe i mundshëm për të marrë parasysh interesat përkatëse legjitime të sigurisë”.

Në deklaratë thuhet se ky lloj dialogu tash për tash vazhdon.

“Pritja për disa javë të tjera nuk do të ishte fatkeqësi”

Qeveria gjermane është shprehur se do të hapet rruga e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancë, duke thënë se përfshirja e dy vendeve në NATO ka një dimension historik.

Në deklaratë theksohej se do të ishte mirë të ndërmerreshin hapa konkretë në Madrid, por “duke pasur parasysh dimensionin e tij historik, nuk do të ishte katastrofike të pritej edhe disa javë për këtë”.

Duke theksuar se qeveria gjermane beson se do të gjendet një zgjidhje e mirë midis Suedisë, Finlandës dhe Türkiye-s në një të ardhme jo shumë të largët, në deklaratë thuhet: “E rëndësishme për ne është që të mos ketë vështirësi të pakapërcyeshme dhe të jemi optimistë se përmes negociatave intensive mes dy vendeve kandidate dhe Türkiye-s do të gjendet një zgjidhje në përputhje me interesat legjitime të tre palëve”.

Kategoritë
BotaLajme