Gjermania: Për shkak të dyshimeve për ndërhyrje në zgjedhje, gjykata urdhëron X-in të dorëzojë të dhënat

Hetuesit gjyqësorë në Gjermani kanë fituar një betejë ligjore kundër rrjetit X, më parë i njohur si Twitter, duke siguruar qasje të rëndësishme në të dhënat e mediave sociale për të hetuar ndërhyrjet e mundshme në zgjedhje.

Gjykata gjermane ka marrë një vendim që përbën një humbje ligjore për Elon Musk, duke urdhëruar që platforma e tij, rrjeti X, të mundësojë menjëherë qasjen e hetuesve në të dhënat mbi përmbajtjet e lidhura me politikën para zgjedhjeve që do të mbahen më 23 shkurt në vend.

Vendimi gjyqësor, i shpallur të enjten, përfaqëson një nga kontrollet e para të mëdha ligjore mbi Zbatimin e Ligjit për Shërbimet Digjitale të Bashkimit Evropian (DSA), duke ngritur pyetje të reja në lidhje me pajtueshmërinë e platformës X me rregulloret evropiane në prag të zgjedhjeve në Gjermani.

Platformat e mediave sociale, përfshirë X, tashmë janë nën vëzhgim nga Komisioni Evropian për shkak të pretendimeve se nuk kanë arritur të zbusin rreziqet e ndërhyrjeve zgjedhore.

Ky rast i shton tensionet në rritje mes rregullatorëve evropianë dhe platformës së Musk për shkak të heqjes së moderimit të përmbajtjes dhe refuzimit për të përmbushur kërkesat për qasje në të dhëna.

Gjykata rajonale në Berlin vendosi në favor të paditësve, duke nxjerrë një urdhër të menjëhershëm që detyron X-in të mundësojë qasje në kohë reale në të dhënat e kërkuara përmes ndërfaqes së saj online deri më 25 shkurt. Vendimi gjithashtu i urdhëron X-it të paguajë kostot gjyqësore në shumën prej 6,000 eurosh.

Kategoritë
BotaLajme