Gjermania planifikon të legalizojë kanabisin për përdorim personal

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, tha se ligji i ri synon të luftojë tregun e zi dhe të reduktojë krimin që ndërlidhet me drogën

Gjermania njoftoi planet për të prezantuar ligjin e ri që do t’u lejojë të rriturve të posedojnë deri në 25 gramë kanabis për konsum personal, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, tha se ligji i ri synon të luftojë tregun e zi dhe të reduktojë krimin që ndërlidhet me drogën.

“Politika e mëparshme e kanabisit ka dështuar”, tha Lauterbach, duke shtuar se ndalimi i kanabisit nuk ka qenë efektiv në kufizimin e përdorimit dhe se nga kjo kanë përfituar grupet kriminale.

“Politika jonë e re ka të bëjë me shpërndarjen e kontrolluar të kanabisit tek të rriturit brenda kufizimeve të qarta”, tha ai.

Sipas planit të qeverisë, individëve më të moshuar se 18 vjeç do t’u lejohet të posedojnë deri në 25 gram kanabis.

Do të lejohet edhe kultivimi personal i deri në tre bimëve për konsum personal.

Gjithashtu shoqatave jofitimprurëse me më së shumti 500 anëtarë do t’u lejohet të kultivojnë kanabis dhe ta shpërndajnë atë tek anëtarët.

Sipas propozimit, një anëtar mund të marrë më së shumti 50 gram kanabis në muaj.

Qeveria e koalicionit liberal e kancelarit Olaf Scholz po planifikon të finalizojë punën për ndryshimet legjislative në javët e ardhshme dhe t’i paraqesë ato në parlament për miratim.

Kategoritë
BotaLajme