Gjermania u bën thirrje serbëve të largojnë barrikadat në Kosovë

Retorika nacionaliste është e “papranueshme”, kurse rritja e pranisë ushtarake pranë kufirit dërgon “sinjal të gabuar”, tha Ministria e Jashtme gjermane

Gjermania u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të heqin barrikadat e vendosura në veri të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Jemi shumë të shqetësuar lidhur me tensionet në veri të Kosovës. Barrikadat e ngritura ilegalisht nga serbët e Kosovës duhet të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Christofer Burger para gazetarëve në Berlin.

Burger i bëri thirrje Serbisë që të ushtrojë ndikimin e saj për të ndihmuar në deeskalimin e krizës politike në veri të Kosovës.

“Retorika nacionaliste në veçanti, siç kemi dëgjuar nga Serbia javët e fundit, është krejtësisht e papranueshme dhe rritja e pranisë ushtarake pranë kufirit serb me Kosovën dërgon një sinjal krejtësisht të gabuar. Prandaj presim një qasje konstruktive nga Serbia”, tha ai.

Burger shprehu mbështetjen për përpjekjet diplomatike të të dërguarit të posaçëm të BE-së për Kosovën për të ndihmuar në “deeskalimin e shpejtë” në përpjekje “për të normalizuar përfundimisht” marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë përshkallëzuar që nga 10 dhjetori kur u arrestua ish-polici serb Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm ndaj zyrtarëve zgjedhorë.

Duke protestuar kundër arrestimit të Pantiqit, serbët e Kosovës kanë qëndruar në roje në barrikadat që kanë vendosur në veri që nga 10 dhjetori.

BE-ja, NATO dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, ndërsa Serbia ka kërkuar të vendosë ushtrinë dhe policinë e saj bazuar në një rezolutë të OKB-së.

Kategoritë
BotaLajme