Gjermania u ofron azil ushtarëve dezertues që kundërshtojnë mobilizimin në Rusi

Ministrja e Brendshme Nancy Faeser ka deklaruar se Gjermania tashmë prej muajsh ka pritur disidentë rusë të përndjekur dhe kërcënuar

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser tha se ata që refuzojnë të bashkohen me ushtrinë në Rusi, ku është shpallur mobilizim i pjesshëm, mund të aplikojnë për azil në Gjermani, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Si rregull, ushtarët që dezertojnë nën kërcënimin e represionit të rëndë, gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare në Gjermani. Kushdo që kundërshton me guxim regjimin e Vladimir Putinit dhe rrjedhimisht e vë veten në rrezik të madh, mund të aplikojë për azil në Gjermani nën arsyen e përndjekjes politike”, ka thënë Feaser për gazetën Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung.

Nancy Faeser ka deklaruar se Gjermania tashmë prej muajsh ka pritur disidentë rusë të përndjekur dhe kërcënuar.

Ndërkaq, ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann, ka thënë se “kushdo që e urren Putinin dhe e do demokracinë liberale, mund të na bashkohet në Gjermani”.

Kategoritë
BotaLajme