Gjermania vazhdon të hezitojë për ndalimin e importit të energjisë nga Rusia

“Sanksionet duhet të kenë efekt mbi agresorin, por në të njëjtën kohë ne duhet të sigurohemi që ato të kenë pasoja minimale për ekonomitë tona dhe ne duhet të jemi në gjendje t’i mbajmë ato”, tha ai.

Gjermania ka përsëritur kundërshtimin e saj për sanksione energjetike ndaj Rusisë, duke paralajmëruar se kjo mund të ketë pasoja negative për ekonomitë evropiane.

Duke folur dje në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se vendet evropiane duhet të vlerësojnë me kujdes masat e sugjeruara.

“Sanksionet duhet të kenë efekt mbi agresorin, por në të njëjtën kohë ne duhet të sigurohemi që ato të kenë pasoja minimale për ekonomitë tona dhe ne duhet të jemi në gjendje t’i mbajmë ato”, tha ai.

Scholz theksoi se jo vetëm Gjermania, por edhe shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian (BE) duhet të blejnë gazin, naftën dhe qymyrin nga Rusia, pasi nuk kanë alternativa të tjera në afat të shkurtër.

“Por ne kemi vendosur të bëhemi të pavarur, sa më shpejt të jetë e mundur, nga importet e qymyrit, gazit dhe naftës ruse dhe ne po punojmë për këtë me shpejtësi të plotë”, shtoi ai.

Kancelari gjerman tha se vendet e BE-së kanë vendosur tashmë “sanksionet më të ashpra ndonjëherë” kundër Rusisë në përgjigje të sulmit të saj ndaj Ukrainës, me masa të forta ekonomike dhe financiare.

“Këto sanksione kanë filluar të tregojnë ndikimin e tyre në ekonominë ruse dhe do të bëhet më dramatike çdo ditë”, theksoi ai.

Scholz përsëriti thirrjen e tij drejtuar presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndërpresë menjëherë të gjitha operacionet luftarake në Ukrainë dhe të tërheqë trupat ruse nga vendi.

“Një armëpushim nevojitet urgjentisht për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe shkatërrimeve të jashtëzakonshme”, tha ai.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare, duke çuar në sanksione financiare ndaj Moskës, si dhe ka nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 953 civilë janë vrarë në Ukrainë, ndërsa më shumë se 1.557 të tjerë janë plagosur. Mbi 3.5 milionë njerëz gjithashtu kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje.

Kategoritë
BotaLajme