Gjermania zotohet për vazhdim të mbështetjes për Ukrainën

“Është detyra jonë si fqinjë evropianë, si mbrojtës të drejtësisë dhe lirisë, si miq dhe partnerë të Ukrainës, t’i mbështesim ata sa më mirë të mundemi”, tha kancelari gjerman

Kancelari gjerman Olaf Scholz u zotua sot për vazhdim të mbështetjes nga vendi i tij dhe Evropa për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, duke përfshirë edhe ndihmën me armë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ukraina po merr armët që i duhen veçanërisht në fazën aktuale të luftës”, tha Scholz në parlament përpara një samiti të ardhshëm me Bashkimin Evropian, G7-n dhe NATO-n në Bundestag në Berlin.

Gjermania po furnizon armë – “sot dhe në të ardhmen”, tha ai.

Scholz bëri të qartë se Ukraina ka çdo të drejtë të mbrohet kundër Rusisë.

“Dhe është detyra jonë si fqinjë evropianë, si mbrojtës të drejtësisë dhe lirisë, si miq dhe partnerë të Ukrainës, t’i mbështesim ata sa më mirë të mundemi”, tha lideri gjerman.

Kancelari tha se Evropa qëndron e bashkuar në anën e popullit ukrainas.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën masivisht, financiarisht, ekonomikisht, humanitarisht, politikisht dhe jo më pak me dërgimin e armëve, për aq kohë sa Ukraina ka nevojë për mbështetjen tonë”, tha ai.

Scholz përsëriti nevojën për një zgjidhje diplomatike të luftës, duke kërkuar vazhdimin e bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin që synojnë t’i japin fund konfliktit.

“Jam i bindur se samiti i NATO-s do të dërgojë një sinjal fuqie. Një marrëdhënie me Rusinë, siç ishte planifikuar në vitin 2010, është, në terma afatgjatë, e paimagjinueshme me agresionin e Putinit. Por bisedimet me Putinin nuk duhet të përfundojnë. Ne duhet t’i kujtojmë atij gjithmonë rendin ndërkombëtar i cili bazohet në ligj”, tha Scholz.

Kategoritë
BotaLajme