Partitë që po negociojnë për shumicën e re në Gjermani janë dakorduar të paraqesin në Bundestag një plan për të eliminuar pengesat për rritjen e borxhit të qeverisë gjermane, të ashtuquajturin “frenim të borxhit”, dhe arsyeja kryesore është krijimi i një fondi investimesh me vlerë 500 miliardë euro.
CDU-ja, e udhëhequr nga Friedrich Merz, i cili pritet të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, dhe SPD-ja, e udhëhequr nga kancelari aktual Olaf Scholz, do ta paraqesin këtë plan në parlamentin gjerman javën e ardhshme.
Fondi prej 500 miliardë eurosh pritet të përdoret kryesisht për modernizimin dhe zgjerimin e ushtrisë gjermane.
Ndryshe, çështja e “frenimit të borxhit” ishte një nga faktorët kryesorë që çoi në rrëzimin e qeverisë së Scholz-it, e cila përbëhej nga SPD-ja, të Gjelbrit dhe FDP-ja.
Liberalët e FDP-së, të cilët mbajnë një qëndrim konservator në ekonomi, nuk dëshironin të hiqnin “frenimin e borxhit”, i cili deri më tani kishte kufizuar borxhin e qeverisë gjermane në 0,35% të PBB-së.
Me këtë lëvizje, CDU-ja dhe SPD-ja, që ka gjasa të formojnë qeverinë e ardhshme të Gjermanisë, synojnë të ofrojnë një përgjigje gjermane ndaj ndryshimeve në politikën e Uashingtonit.
Administrata e re në SHBA, e udhëhequr nga presidenti Donald Trump, ka ndërmarrë disa hapa që i kanë sugjeruar vendeve evropiane të investojnë më shumë në kapacitetet e tyre ushtarake.