Pjesëmarrës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë zhvilluar bisedime jozyrtare në Zvicër gjatë muajve të fundit, përfshirë edhe javën e kaluar, mbi luftën në Ukrainë, kanë konfirmuar tre burime të njohura me këto takime.
Edhe pse pjesëmarrësit kanë përvojë diplomatike dhe në fushën e sigurisë, ata nuk janë përfaqësues zyrtarë të qeverive të tyre dhe nuk dihet nëse janë dërguar nga autoritetet përkatëse, thanë dy burime për Reuters.
Bisedimet janë përshkruar si një kanal diplomatik dytësor, me disa kontakte që janë zhvilluar gjatë periudhës së tranzicionit pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale më 5 nëntor. Sipas njërit prej burimeve, i cili ka njohuri të drejtpërdrejta për takimet, të paktën disa këshilltarë të Trump-it ishin të informuar për këto bisedime.
Ende nuk ka informacione të qarta nëse ukrainasit kanë marrë pjesë, kur filluan takimet dhe cilat ishin çështjet kyçe në rendin e ditës. Megjithatë, këto takime të papublikuara më parë tregojnë se, pavarësisht ndërprerjes zyrtare të kontakteve midis Uashingtonit dhe Moskës gjatë presidencës së Joe Biden, ekzistojnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje për përfundimin e luftës.
Trump, i cili ka vetëm pak më shumë se një muaj në detyrë, ka përmbysur qasjen amerikane ndaj luftës në Ukrainë, duke u angazhuar drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin dhe duke avokuar për arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit.
Të martën, zyrtarë të lartë amerikanë u takuan në Arabinë Saudite me ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov dhe përfaqësues të tjerë nga Moska.
Një nga burimet e quajti këtë proces “diplomaci e pistës së dytë” (Track Two) – negociata jozyrtare që nuk synojnë marrëveshje formale, por përmirësimin e komunikimit dhe shkëmbimin e ideve.
Shtëpia e Bardhë, qeveria ukrainase dhe Ministria e Jashtme e Rusisë nuk kanë komentuar mbi këto informacione.
Ministria e Jashtme zvicerane konfirmoi se në Zvicër mbahen rregullisht takime në kuadër të iniciativës “Track Two”, duke theksuar se këto bisedime mundësojnë shkëmbimin e pikëpamjeve pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të qeverive. “Këto aktivitete ndihmojnë në ruajtjen e përpjekjeve diplomatike lidhur me konfliktin”, tha ministria.
Sipas burimeve, të paktën një nga takimet u zhvillua në Gjenevë gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut javën e kaluar, ku morën pjesë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë të fushës politike dhe të sigurisë.
Vitën e kaluar, Reuters raportoi për bisedime të mëparshme “Track Two”, gjatë të cilave Putin kishte shprehur gjoja gatishmëri për të shqyrtuar një armëpushim në Ukrainë, por ato negociata nuk sollën rezultate konkrete.
Historikisht, negociatat e tilla jozyrtare kanë shërbyer si ura komunikimi midis palëve kundërshtare, me shpresën se një mirëkuptim më i thellë mund të çojë në hapa zyrtarë diplomatikë.
Në vitin 2023, NBC raportoi se ish-zyrtarë amerikanë kishin zhvilluar bisedime sekrete me individë të afërt me Kremlinin dhe se disa prej tyre më pas ishin takuar edhe me Lavrov-in.
Një nga burimet sugjeroi se këto bisedime mund të kenë humbur rëndësinë e tyre, pasi SHBA-ja dhe Rusia kanë vendosur kanale zyrtare diplomatike të komunikimit në javët e fundit.