“Gjithmonë kam qenë futbollisti më i paguar te Vorskla, fjalët e Ismet Munishit dolën në fund” – Curri flet për aspektin financiar dhe si dështoi transferimi te Shakhtar Donetsk

I ftuari i radhës në një podcast të Telegrafit ka qenë ish-futbollisti dhe trajneri i njohur Debatik Curri i cili ka folur për eksperiencën që ka kaluar në Ukrainë tek ekipi i Vorskla Potlavës si dhe bisedimet që kishte pasur me gjigantin ukrainas Shakhtar Donetsk për transferimin e tij të mundshëm.

Ai ka rrëfyer se ishte futbollisti më i paguar i skuadrës por që fillimet e tij në Ukrainë nuk ishin aq të mira për të dhe Ismet Munishin, ndonëse ky i fundit kishte pasur gjithmonë besimin se dyshja shqiptare do të thonin fjalën kryesore në ekip.

“23 gola si mbrojtës, 23 gola që normalisht kush ka qenë aty e di se kam qenë tri vjet futbollisti më i mirë i skuadrës”, ka thënë fillimisht Curri.

 

“Ato gjashtë muaj ma i dobëti e mandej e mbaj mend diskutonim me Ismet Munishin e ai thoshte ‘Kqyrne se çka po ju them, na këtu kemi me u bo kryesorët’, në këtë klub normalisht Ismeti nuk është se qëndroi shumë gjatë, por erdhi puna normalisht unë dhe Armendi kemi qenë lojtarët më të paguar dhe kur kemi diskutuar me presidentin ai ka thënë se lojtarë më të paguar se sa ju nuk mund të vijnë këtu”.

Tutje ai ka shpjeguar se si ishte i motivuar nga ideja për të provuar një eksperiencë të re diku tjetër pasi me kualitetin që kishte në atë kohë ishte i bindur se do të luante në çdo klub.

“Erdhi një kohë që e tha edhe Lavdimi që u mërzita me thënë të drejtën, kisha qejf një eksperiencë tjetër, me u motivu më shumë sepse e kisha të sigurt që luajë gjithë”.

Në fund në pyetjen se a ka pasur oferta nga klubet tjera, Curri tha se kishte pasur disa bisedime me Shakhtar Donetsk, por që nuk kanë munguar as ofertat nga klubet e tjera si Dnipro dhe Metalurg Donetsk.

“Po, biseda ka pas me Shakhtarin kemi pas me ndihmësin e Lucescut, Spiridoni, ka qenë rumun edhe ai një menaxher i Potalvës aty ka qenë ku kemi jetuar. Problemi kryesor ka qenë të lojtari i huaj, numër të madh të lojtarëve të huaj, zakonisht tek mbrojtja janë fokusuar me lojtarë vendas, kanë marrrë lojtarë të fazës ofanzive”.

“Me thënë të drejtën kam pas edhe disa klube tjera si Dnipro, një milionë euro i kanë dhënë në atë kohë për mu Metalurg Donetsku dhe nuk më ka lëshu klubi, kam qenë lojtari kryesor në atë kohë”, ka deklaruar Curri

Kategoritë
LajmeSport