Gjukanoviç voton dhe i jep mesazh Serbisë: Duhet të ndryshojë marrëdhëniet me fqinjët e saj

Presidenti aktual i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, i cili synon një tjetër mandat, ka votuar sot në Podgoricë. Ai ishte nën shoqërimin e gruas Lidija dhe djalit Bllazha, të cilët u panë duke shkuar në një shkollë në Podgoricë për të votuar.

Gjukanoviç foli për mediat, ndërsa tha se pret një proces zgjedhor të rregullt dhe beson se kjo është koha për rrugën evropiane të vendit që ai drejton.

“Është e rëndësishme që të gjithë qytetarët të mund të shprehin vullnetin e tyre dhe besoj se ashtu do të jetë. Është një moment i mirë që Mali i Zi të paralajmërojë rikthimin në rrugën e zhvillimit evropian, se po fillon një kohë e re më emirë ku Mali i Zi do të tregojë karakterin e vërtetë”, tha Gjukanoviç.

Mediat e pyetën Gjukanoviçin për raportet me Serbinë, kurse për këtë, kreu i Partisë Socialdemokrate theksoi se ato varen nga “fqinji që përpiqet të ndërhyjë në proceset e brendshme të atij vendi”.

“Marrëdhëniet me Serbinë do të jenë ashtu siç duhet dhe siç janë me fqinjët e tjerë. Sigurisht që mund të jenë më mirë, për sa më përket mua, ne kemi absolutisht një derë të hapur. Serbisë do t’i duhet të ndryshojë marrëdhëniet me fqinjët e saj, veçanërisht me Malin e Zi, ku po përpiqet të organizojë jetën e serbëve, por shteti i Malit të Zi duhet ta bëjë këtë. Asnjëherë nuk jemi përpjekur të ndërhyjmë në rregullimin e jetës së qytetarëve tanë në vende të tjera. Respektoni shtetin dhe atë që është dhe ju jeni të mirëseardhur këtu dhe do të merrni atë që prisni, por jo me koston e shtetësisë së Malit të Zi”, tha Gjukanoviç.

Kategoritë
LajmeRajoni