Gjykata amerikane vendosi që elefantët nuk janë njerëz

Padia e ngritur për lirimin e pesë elefantëve që ndodhen në një kopsht zoologjik në shtetin e Kolorados u refuzua nga gjykata. Gjykata e Lartë vendosi që elefantët nuk mund të konsiderohen juridikisht si “njerëz.”

Një vendim interesant nga një gjykatë në SHBA…

Aktivistët për të drejtat e kafshëve kishin ngritur padi duke pretenduar se elefantët me emrat Missy, Kimba, Lucky, LouLou dhe Jambo po mbaheshin në kushte robërie në kopshtin zoologjik dhe kërkuan që ata të transferoheshin në një strehë për elefantët.

PADIA E NGRITUR

Në kërkesë, u argumentua se elefantët duhet të kishin të drejta ligjore njësoj si një njeri i ndaluar dhe u kërkua që liria e tyre të sigurohej në kuadër të parimit të habeas corpus.

VENDIMI: NUK JANË NJERËZ

Por Gjykata e Lartë e Kolorados, me një vendim unanim 6 me 0, vendosi që parimi i habeas corpus është i vlefshëm vetëm për njerëzit dhe nuk mund të zbatohet për kafshët.

Gjyqtarja Maria Berkenkotter deklaroi se, pavarësisht se sa të zhvilluar mund të jenë elefantët në aspektin njohës, psikologjik apo social, ata nuk mund të konsiderohen juridikisht si persona.

AKUZAT NDAJ GJYKATËS

Organizata Nonhuman Rights Project (NRP), e cila kërkoi që elefantët të largoheshin nga Kopshti Zoologjik Cheyenne Mountain dhe të transferoheshin në një strehë të përshtatshme për elefantët, argumentoi se kafshët janë qenie emocionale komplekse dhe inteligjente.

Grupi pretendoi se elefantët po përjetojnë trauma, dëmtime në tru dhe stres kronik për shkak të kushteve të robërisë në kopshtin zoologjik.

Menaxhmenti i kopshtit zoologjik i hodhi poshtë këto pretendime. Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, u argumentua se elefantët po marrin kujdes të jashtëzakonshëm dhe gjykata lokale kishte vendosur në favor të këtij pretendimi.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, menaxhmenti i kopshtit zoologjik e quajti padinë e NRP-së “pa bazë” dhe theksoi se kjo ka shkaktuar humbje kohe dhe burimesh financiare.

Grupi e akuzoi NRP-në për “abuzim me sistemin gjyqësor.”

“NUK KANË TË DREJTË LIRIE”

NRP deklaroi se vendimi i gjykatës “konfirmon edhe një herë se asnjë qenie tjetër përveç njerëzve nuk ka të drejtën e lirisë.”

Në një deklaratë thuhej: “Ashtu si me lëvizjet e tjera për drejtësi shoqërore, është e zakonshme të ketë humbje të hershme në luftën kundër status quo-së së rrënjosur.”

NRP më parë kishte ngritur një padi për elefantin Happy, i cili ndodhej në Kopshtin Zoologjik të Bronxit në Nju Jork, por edhe ajo padi ishte refuzuar nga gjykata.

Kategoritë
BotaLajme