Gjykata e BE-së refuzon kërkesën për heqjen e PKK-së nga lista e organizatave terroriste

Gjykata tha se veprimet e PKK-së nuk mund të merren në konsideratë brenda kornizës së “të drejtës së popullit kurd për vetëvendosje” dhe se përdorimi i forcës së armatosur për ushtrimin e kësaj të drejte nuk mund të llogaritet legjitim

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (BE) i ka dhënë përgjigje negative padisë e ngritur nga organizata terroriste PKK me kërkesën për t’u hequr nga lista e organizatave terroriste e BE-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjykata e Përgjithshme e BE-së pranë Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, me seli në Luksemburg, njoftoi vendimin e saj në lidhje me padinë e ngritur nga grupi terrorist PKK vitin e kaluar.

Vendimi, në të cilin janë përdorur termat “akt terrorist” dhe “grup terrorist”, thekson se PKK është “organizatë terroriste”, duke iu referuar edhe vendimeve të Britanisë të vitit 2014 dhe Shteteve të Bashkuara të viteve 1997 dhe 2001 për ndalimin e PKK-së.

Në aktvendim thuhet se veprimet e PKK-së nuk mund të merren në konsideratë brenda kornizës së “të drejtës së popullit kurd për vetëvendosje” dhe se përdorimi i forcës së armatosur për ushtrimin e përgjithshëm të kësaj të drejte nuk mund të llogaritet legjitim.

Gjykata po ashtu tha se “sipas të drejtës së BE-së dhe asaj ndërkombëtare, nuk mund të bëhet asnjë përjashtim për sa u përket akteve terroriste gjatë konflikteve të armatosura”, duke rikujtuar se sulmet e PKK-së ndaj objekteve turistike kanë pasur në shënjestër popullatën civile.

Vendimi konfirmoi gjithashtu vlerësimin e Këshillit të BE-së se rreziku terrorist nga PKK-ja vazhdon tutje.

Këshilli Evropian të paktën çdo gjashtë muaj rishikon listën që parasheh sanskione ndaj personave dhe organizatave të konsideruara terroriste, siç janë ngrirja e aseteve dhe ndalimi i dhënies së burimeve financiare.

PKK u vendos në listë në vitin 2002.

Kategoritë
BotaLajme