Irani ka akuzuar shpesh Izraelin për rekrutimin e vendasve për aktivitete spiunazhi, si dhe për sabotim në objekte të rëndësishme bërthamore, ushtarake dhe industriale në të gjithë vendin vitet e fundit
Gjykata e Lartë e Iranit ka lënë në fuqi dënimin me vdekje për katër persona të akuzuar se kanë punuar për agjencinë e inteligjencës izraelite, tha gjyqësori i vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Personat akuzohen për “shkatërrim të pronës private dhe publike, rrëmbime dhe marrje të rrëfimeve të rreme”, thuhet në një deklaratë të publikuar nga agjencia e lajmeve Mizan, e cila është e lidhur me gjyqësorin.
Katër burrat u identifikuan si Hossein Ordukhanzadeh, Shahin Imani Mahmoudabad, Milad Ashrafi Atbatan dhe Manouchehr Shahbandi Bejandi.
Tre të akuzuar të tjerë janë dënuar me burgim nga 5 deri në 10 vjet me akuzat për “krim kundër sigurisë së vendit, ndihmë në rrëmbim dhe mbajtje armësh”.
Të gjithë ata, tha gjyqësori, po punonin “nën drejtimin” e shërbimit të inteligjencës izraelite.
Sipas medias shtetërore, personat ishin arrestuar në një operacion të përbashkët nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike dhe Ministria e Inteligjencës në qershor.
Pas gjykimit fillestar, katër prej tyre u dënuan me vdekje nga një gjykatë më e ulët. Vendimet me vdekje u kundërshtuan më pas në Gjykatën e Lartë, e cila ka lënë në fuqi aktgjykimet.
Irani është tronditur nga protesta gjithëpërfshirëse antiqeveritare për vdekjen e një gruaje të re në arrest policor, por zyrtarët thanë se ky rast nuk është i lidhur me trazirat që po vazhdojnë.
Irani ka akuzuar shpesh Izraelin për rekrutimin e vendasve për aktivitete spiunazhi, si dhe për sabotim në objekte të rëndësishme bërthamore, ushtarake dhe industriale në të gjithë vendin vitet e fundit.
Teherani ka akuzuar gjithashtu Tel Avivin për vrasjen e shkencëtarëve kryesorë bërthamorë iranianë.
Tensionet midis dy vendeve armike u përshkallëzuan në mënyrë dramatike pasi shkencëtari i lartë bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh, u vra në një operacion të sofistikuar në periferi të Teheranit në nëntor 2020.
Izraeli, ndërkohë, pretendon gjithashtu se shërbimet e inteligjencës iraniane planifikojnë sulme ndaj qytetarëve izraelitë në vendet e huaja.