Kreu i Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po refuzon që të shkojë në Prokurori Speciale në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore. Kurti ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë dhe ka kërkuar që këta të fundit ta intervistojnë në zyrën e tij në Qeveri
Marrë parasysh refuzimet e Kurtit, Prokuroria Speciale i është drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila sot në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar se kanë nxjerrë një vendim me datën 21 shkurt përmes të cilit obligojnë Kurtin që të shkojë në Prokurori Speciale për të dëshmuar.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mirlinda Gashi nga Gjykata Themelore.
Megjithatë pavarësisht këtij urdhri të Gjykatës Themelore të Prishtinës, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka publikuar sot letrën që i kanë dërguar Gjykatës, përmes të cilës kanë kërkuar që Gjykata të nxjerrë një vendim që obligon Prokurorinë për ta intervistuar Kurtin në ndërtesën e Qeverisë.
Gjykata ka njoftuar se letra nga kabineti i Kurtit u ka shkuar sot.
“Në emër të Kryeministrit Kurti, Zyra e Kryeministrit sot i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me njoftimin e Gjykatës mbi dëshminë e kërkuar nga Kryeministri për çështjen e rezervave shtetërore. Ndër të tjera, aty bëhet e qartë që Kryeministri i Republikës së Kosovës kurrë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij në lidhje me çështjen në fjalë. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke propozuar që intervistimi të zhvillohet në zyrat e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë në raste të ngjashme në Kosovë e edhe më gjerë”, ka shkruar sot Kryeziu.
Sido që të jetë mbetet të shihet se si do të veprojë shefi i Qeverisë të martën.