Gjykata heq masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit Berisha

“Gjykata konstatoi që për Berishën nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e asnjë lloj mase sigurie. Ai sot është i lirë”, deklaroi avokati Genc Gjokutaj.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur heqjen e masës së sigurisë arrest në shtëpi për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Në një njoftim zyrtar nga GJKKO thuhet se në seancën e sotme gjykata ka pranuar kërkesën e Berishës për revokimin e kësaj mase sigurie.

Që prej dhjetorit 2023, ndaj Berishës ishte në fuqi masa “arrest në shtëpi”, i dyshuar sipas autoriteteve shqiptare për korrupsion.

Në një deklaratë për mediat pas vendimit, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, u shpreh se nuk ka asnjë masë tjetër sigurie.

“Gjykata konstatoi që për Berishën nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e asnjë lloj mase sigurie. Ai sot është i lirë”, tha Gjokutaj.

– Çështja ndaj ish-kryeministrit Berisha

Më 20 tetor 2023, GJKKO-ja për Berishën caktoi masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, sipas autoriteteve i dyshuar për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar fillimisht masa “arrest me burg” dhe më pas “arrest në shtëpi”, i cili dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Më 12 dhjetor 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, kërkesë e cila u miratua nga Kuvendi më 21 dhjetor.

Në seancën e datës 30 dhjetor, GJKKO-ja vendosi masën “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit Berisha.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (GJPAKKO) më 25 janar të këtij viti la në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj Berishës.

Objekt i hetimit të këtij procedimi penal, sipas autoriteteve, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani” në Tiranë.

Aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë Berisha njihet zyrtarisht si deputet jashtë grupeve parlamentare, për shkak të përplasjeve të fundit brenda Partisë Demokratike (PD), ndërkohë pas disa proceseve gjyqësore për këto përplasje Berisha është aktualisht kryetar i Partisë Demokratike.

Kategoritë
LajmeRajoni