Gjykata izraelite vendosi një vajzë palestineze 12-vjeçare në arrest shtëpiak për shkrime në fletore

Pas 4 ditësh paraburgim, një gjykatë izraelite ka vendosur arrest shtëpiak për një muaj për një vajzë palestineze 12-vjeçare nga Jerusalemi i pushtuar dhe i ka shqiptuar një gjobë prej 3.000 shekelësh (rreth 800 dollarë).

Tuqa Ghazzawi u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për katër ditë pasi forcat izraelite të okupimit gjetën slogane që mbështesnin rezistencën, të shkruara në fletoret e saj shkollore. Gjithashtu, ata pretenduan se ajo kishte vendosur një letër me “deklarata nxitëse” mbi një automjet policor.

Tuqa, e cila është nga lagjja Al-Thawri në Silwan, në jug të xhamisë Al-Aksa, u ndalua më 6 mars ndërsa kthehej në shtëpi nga shkolla, ku ndjek klasën e shtatë.

Ajo u dërgua në gjykatë të premten në mëngjes, dhe paraburgimi i saj u zgjat deri sot.

Policia izraelite e okupimit në një deklaratë njoftoi se e kishte arrestuar vajzën pasi e kishte ndaluar në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit të pushtuar dhe gjatë kontrollit të çantës së saj kishte gjetur “parrulla që mbështesnin Hamasin”.

Sipas policisë, vajza kishte vendosur në një automjet policor një letër me mbishkrimet “Ne do të fitojmë ose do të vdesim” dhe “Fitorja është nga Zoti dhe çlirimi është afër”.

Babai i Tuqas, Khalil Ghazzawi, u arrestua gjithashtu dhe u mor në pyetje për disa orë, por më pas u lirua.

Kategoritë
BotaLajme