Gjykata Speciale kërkon që Kosova të krijojë fond për dëmshpërblimin e viktimave

Gjykata mori vendim për të dënuarin Salih Mustafa, që, viktimat e vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar dhe torturës, në rastin e tij, të dëmshpërblehen me 207 mijë euro

Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë i ka kërkuar shtetit të Kosovës të krijojë një mekanizëm për zhdëmtim, me qëllim që të kompensohen plotësisht viktimat e krimeve të luftës, për të cilat do të vendosë kjo gjykatë, transmeton Anadolu.

Gjykata mori vendim për të dënuarin Salih Mustafa, që, viktimat e vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar dhe tortura, në rastin e tij, të dëmshpërblehen me 207 mijë euro.

Me vendimin e fundit, Mustafa i cili u dënua me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale në dhjetor të vitit 2022, do të duhet t’i dëmshpërblejë tetë viktima, të cilave do t’u takojë dëmshpërblimi.

Sipas gjykatës është konstatuar se Salih Mustafa nuk i zotëron mjetet për ta bërë dëmshpërblimin e viktimave dhe kështu pritet përcaktimi i një autoriteti mbikëqyrës në lidhje me zbatimin e urdhrit për dëmshpërblim.

Pas këtij vendimi trupi gjykues dha vërejtje në ligjin e Kosovës për të trajtuar dëmet dhe lëndimet e pësuara në kontekstin e luftës.

Trupi gjykues tha se “Legjislacioni i Kosovës që trajton dëmin dhe lëndimet e pësuara në kontekstin e luftës në Kosovë, u referohet viktimave të forcave të armikut dhe jo të gjitha viktimave. Këto ligje krijuan diskriminim mes viktimave të kësaj lufte. Është e rëndësishme t’i kujtojë Kosovës detyrimet e saj në lidhje me të drejtat e viktimave për mjet juridik efektiv”.

“Trupi gjykues i bëri thirrje Kosovës të miratojë ligjet e nevojshme dhe të krijojë mekanizëm për zhdëmtim me qëllim kompensimin e plotë të viktimave të krimeve. Trupi gjykues nënvizoi se në krijimin e një mekanizmi për zhdëmtim duhet shqyrtuar mundësia e financimit të tij përmes buxhetit të Kosovës, meqë mbrojtja e të dyshuarve dhe të akuzuarve para DHSK-së financohet përmes atij buxheti”, tha trupi gjykues.

Mustafa është dënuar nga Gjykata Speciale në dhjetor të vitit 2022 për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Kategoritë
BotaLajmeVendi