Gjykata Speciale: Mbahet konferenca e katërt statusore ndaj Gucatit e Haradinajt

Në këtë konferencë është diskutuar për materialet e arritura në zyrat e OVL-UÇK-së vitin e kaluar, për çka edhe po akuzohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, e njohur si Gjykata Speciale, është mbajtur konferenca e katërt statusore ndaj kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në këtë konferencë është diskutuar për materialet e arritura në zyrat e OVL-UÇK-së vitin e kaluar, për çka edhe po akuzohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbrojtja ka deklaruar se informacionet tregojnë se materiali ka rrjedhë nga stafi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar apo persona të afërt me ZPS-në, duke shtuar se është e nevojshme që prokuroria të hetojë rrjedhjen e materialeve në fjalë.

Avokati i Haradinajt, Toby Cadman, ka thënë ZPS nuk është marrë seriozisht me hetimin e informacionit të rrjedhur, duke thënë se akuzat e ngritura, nuk kanë prova të publikuara.

Ndërkaq, Prokuroria ka deklaruar se hetimet e kryera kanë vërtetuar akuzat e ngritura dhe se pas vërtetimit, mund të shpien në dënimin e të akuzuarve.

“Hetimet tona kanë vërtetuar që akuzat e ngritura kundër të akuzuarit janë të përligjura dhe prova ka të mjaftueshme për të provuar fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm. Aktpadia tashmë është e konfirmuar dhe thuajse faza e paragjykimit ka përfunduar, mbrojtja nuk duhet të vendosë çka duhet të hetojë ZPS dhe as nuk duhet të vendosë cilët janë dëshmitarët që do të thërrasim apo çfarë prova do të paraqiten në gjyq, është përgjegjësia jonë si ZPS që të parashtrojmë prova”, kanë thënë nga ZPS.

Avokati i ish-kryetarit të OVL-UÇK Hysni Gucatit, mbrojtësi Jonathan Elystan Rees ka thënë se do të vazhdojnë të trajtojnë çështjen e rrjedhës së informacioneve, por Prokuroria theksoi se ata akuzohen për përhapje të paligjshme të informacionit konfidencial dhe jo për mënyrën se si e morën informacionin.

Akuza ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës e UÇK-së, Hysni Gucati, dhe ndaj nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj u konfirmua më 14 dhjetor 2020. Ajo mbështetet në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca për media dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate.

Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë dhe që nga ajo kohë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Kategoritë
LajmeVendi