Gjyqtarët nga Kosova do të ndajnë drejtësinë në ndeshjen e grupeve të Ligës së Konferencës

Sektori i gjyqtarëve në FFK dhe puna profesionale e gjyqtarëve edhe njëherë mori vlerësim të lartë nga UEFA.

Kjo për faktin se në raundin e dytë të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, UEFA e ka caktuar gjyqtarin Visar Kastrati për ta drejtuar ndeshjen e Grupit F, ndërmjet Gentit dhe Shamrock Rovers.

Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin e Gentit, të enjten më 15 shtator, me fillim në orën 18:45. Gjyqtari Kastrati do të asistohet nga Besnik Morina dhe Granit Hyseni, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Genc Nuza.

Gjyqtarët tanë në vazhdimësi kanë pasur rritje, e ku kanë gjykuar në ndeshje mjaft të rëndësishme ndërkombëtare deri më tash, teksa rritjen e tyre profesionale e dëshmon edhe delegimi në raundin e dytë të fazës së grupeve.

FFK i gëzohet këtij suksesi të gjyqtarëve dhe do të vazhdojë përkrahjen e tyre të pakusht, marrë parasysh se ngritja profesionale e tyre ndihmon që të ketë gjykim edhe më cilësor në futbollin vendor.

Kategoritë
Sport