Goditet banda e “skifterëve” në Spanjë, arrestohen 3 shqiptarë, vidhnin bizhuteri dhe orë të shtrenjta

Në kuadër të operacionit të ashtuquajtur “ALCOS”, policia ka arrestuar tre persona dhe ka hetuar një të katërt, si autorë të dyshuar të trembëdhjetë grabitjeve në shtëpi dhe falsifikimit të dokumenteve publike.

Bëhet me dije se hetimet kanë nisur pas një grabitjeje në qytetin El Espinar, ku u vodhën një sasi e madhe bizhuterish dhe para me vlerë më shumë se 100 mijë euro.

Pas hetimeve të para u zbulua se bëhej fjalë për një grup kriminal me origjinë shqiptare të vendosur përkohësisht në Madrid. Grupi udhëtonte për në qytetin El Espinar, ku kryente akte të shumta kriminale, duke shkaktuar alarm të madh social tek banorët e qytetit.

Sipas hetuesve, anëtarët e grupit kriminal kanë vepruar në mënyrë “shumë profesionale”, duke u futur në shtëpi të cilat i kishin ruajtur më herët dhe futeshin kur pronarët nuk ndodheshin aty. Ata kërcenin mbi rrethimin e banesave dhe futeshin në shtëpi nga dritaret ose ballkonet, të vendosura në pjesën e pasme të shtëpive dhe duke përdorur një mjet të tipit kaçavidë për të çmontuar dritaret

Nga raportimet e mediave spanjolle mësohet se ata vodhën vetëm para, bizhuteri dhe orë me vlerë. Për këtë ata kishin marrë njohuri shteruese të bizhuterive ekskluzive dhe orëve me vlerë të lartë ekonomike.

Për kryerjen e veprave kriminale, ata përdorën një rrjet bashkëpunëtorësh, të cilët siguronin strehim dhe automjete për grupin. Këto automjete janë marrë në emër të palëve të treta dhe janë zëvendësuar shpesh, për të vështirësuar identifikimin e tyre. Në të njëjtën mënyrë, ata përdorën linja telefonike në emër të palëve të treta, të cilat i zëvendësonin çdo javë në çdo indikacion të zbulimit nga Forcat dhe Organet e Sigurisë. Gjatë zhvillimit të hetimeve, agjentët verifikuan se me kryerjen e vjedhjeve, një anëtar i grupit ishte përgjegjës për transportin e bizhuterive drejt Shqipërisë.

Pas një hetimi të vështirë, policia spanjolle ka mundur të zbulojë identitetin e autorëve të dyshuar dhe të gjejë vendndodhjen e tyre, duke vazhduar me arrestimin për kryerjen e pretenduar të trembëdhjetë grabitjeve me forcë në shtëpi. Njëri prej tyre u arrestua në Hendaye (Francë), pasi u përgjua teksa po udhëtonte me një automjet, duke fshehur brenda 400 bizhuteri. Dy të tjerë u arrestuan në lokacione të ndryshme në Madrid dhe një i katërt është nën hetim, pasi aktualisht ndodhet në arrati në Shqipëri.

Me këtë operacion, ata kanë arritur të lokalizojnë dhe të nxjerrin bizhuteritë dhe paratë e shumta me vlerë mbi 22 mijë euro, nga veprat kriminale të kryera në El Espinar.

Kategoritë
BotaLajme