Gra serbe të Kosovës protestojnë në Mitrovicë të Veriut

Protesta ishte paralajmëruar më herët në një konferencë të jashtëzakonshme të Listës Serbe, pas takimit që përfaqësuesit serbë të Kosovës kanë pasur në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq

Mijëra gra serbe që jetojnë në Kosovë protestuan në qendër të Mitrovicës së Veriut me qëllim të “dërgimit të mesazhit për paqe”, raporton Anadolu Agency (AA).

Me pankartat “Gratë e bashkuara për liri nga geto”, “Nënat e Kosmet kundër getos së Kurtit”, “Nuk është trillim, dua paqe” dhe “Kurti, nuk të jap fëmijë”, ato marshuan përgjatë rrugës kryesore të Mitrovicës së Veriut deri te ura mbi lumin Ibër, e cila e ndan Mitrovicën në pjesën veriore dhe jugore.

Nga foltorja e ngritur tek rrethrrotullimi përballë urës mbi lumin Ibër, disa prej tyre morën fjalën për t’u drejtuar pjesëmarrësve në këtë protestë.

Ish-këshilltarja e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Gordana Saviq, njëherësh edhe infermiere, tha se gratë nga veriu i Kosovës janë mbledhur për të thënë se nuk do ta vuajnë më “terrorin” e kryeministrit kosovar, Albin Kurti.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare që janë këtu sipas Rezolutës 1244, KFOR-it, EULEX-it, ambasadorëve të Quintit që të ndihmojnë, të bëjnë diçka, të paktën të dëgjojnë gjithçka që kemi sot, t’u themi se fëmijët tanë nuk janë ndryshe nga të tyret dhe ata duhet të dëgjojnë zërin tonë”, tha Saviq.

Ana Vukoviq nga Zveçani, nënë e 11 fëmijëve, tha se serbët e Kosovës kanë besim në shtetin e Serbisë.

Vukoviq po ashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të parandalojë Kurtin nga krijimi i kaosit”.

Protesta e mbajtur nga gratë që jetojnë në Kosovë ishte paralajmëruar një ditë më herët në një konferencë të jashtëzakonshme të partisë më të madhe serbe Lista Serbe, pas takimit që përfaqësuesit serbë të Kosovës kanë pasur në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në këtë konferencë tha se Prishtina, përkatësisht Albin Kurti, është i vetmi përgjegjës për dështimin e negociatave në Bruksel, duke paralajmëruar protesta në të gjitha institucionet.

Për shkak të vendimit në tri faza të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, faza e dytë e së cilit pritet të hyjë në fuqi nga 24 nëntori dhe që parasheh gjobitjen me 150 euro për të gjitha automjetet me vetura jo “RKS”, zyrtarët serb hoqën dorë nga institucionet kosovare më 5 dhe 6 nëntor.

Për shkak të dorëheqjes së tyre nga pozita e kryetarëve të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq u shpallën zgjedhje të jashtëzakonshme më 18 dhjetor, por Lista Serbe ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi zgjedhor.

Kategoritë
LajmeVendi