Grabitet me armë dyqani i bizhuterive luksoze Chanel në zemër të Parisit

Një grabitje me armë ka ndodhur në një dyqan bizhuterish Chanel në zemër të Parisit, në rrugën de la Paix.

Të paktën katër persona, me fytyrat e mbuluara me skafandra të errëta u larguan pas grabitjes me dy motoçikleta. Për momentin nuk dihet vlera e vjedhur. E gjithë zona përreth Place Vendome është rrethuar.

Sipas burimeve policore, nuk ka të lënduar. Prefektura e Parisit ka njoftuar dërgimin në vendngjarje të një brigade kundër krimit.

I njohur në të gjithë botën për bukurinë e pallateve të tij dhe kolonën napoleonike të ndërtuar sipas modelit të kolonës së Trajanit në Romë, Place Vendome është një nga sheshet më të rëndësishme dhe qendrore të kryeqytetit francez, shtëpia e shumë bizhuterive dhe dyqaneve ultra luksoze si dhe e hotelit të famshëm Ritz të restauruar së fundmi dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Goditja e sotme pason grabitjen spektakolare të dyqanit Bulgari në shtatorin e kaluar.

Kategoritë
BotaLajme