Një person është plagosur sot me armë zjarri, teksa po barte paratë e grumbulluara tek bankomatet tek qendra tregtare “Albi Mall” në Prishtinë.
Grabitja me armë zjarri ndodhi në parkingun e jashtëm të qendrës tregtare, meqë rast u shkrepën dhe armët e pati të plagosur.
Të dyshuarit në këtë rast arritën të arratiseshin nga vendi i ngjarjes, e një veturë e dyshimtë u gjetë më pas e djegur në afërsi të Graçanicës.
Në lidhje me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë për lajmi.net se ende nuk është arrestuar asnjë person i dyshuar.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë, se deri më tani Prokurori i çështjes nuk ka ndaluar asnjë person të dyshuar, pasi që ndërkohë hetuesit policorë në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë janë duke ndërmarrë masa të nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit në fjalë”, ka thënë Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Lajmin për plagosjen e një personi më herët e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës në Prishtinë, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve. Si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, tha zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Menjëherë pas incidentit, lajmi.net ka kontaktuar edhe me shefin e Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla i cili ka thënë se gjendja e të plagosurit është e rëndë.
“Është në sallë të operacionit, janë kryer egzaminimet te ne dhe po intervenohet nga ekipet e anestezionit dhe të kirurgjisë. Gjendja është e rëndë definitivisht”, ka thënë Syla për lajmi.net.
Në media është raportuar se personi i plagosur është Fahri Ademi, 42 vjeçar – pjesëtar i sigurimit në kompaninë “Istambul Ozel Guvenlik”.
I plagosur raportohet të ketë mbetur edhe njëri nga grabitësit, i nacionalitetit serb nga Leposaviqi.
Siç raportohet, pak minuta pas grabitjes, një person i plagosur në këmbë dhe në gjoks ka kërkuar ndihmë në qendrën emergjente në Graçanicë.
Deri më tani nuk ka pasur detaje të specifikuara nga institucionet përgjegjëse se si ndodhi në fakt rasti, sa para u grabitën dhe kush janë të dyshuarit./Lajmi.net/