Rreth 20 milionë dollarë bizhuteri u vodhën gjatë një grabitjeje të guximshme në një dyqan në qendër të Los Angelosit.
Grabitja ndodhi në dyqanin “Love Jewels” në bllokun 500 të South Broadway, shkruan foxnews.
Pronarët thonë se hajdutët përdorën një ndërtesë të pabanuar ngjitur për të hyrë në dyqan. Ata prenë një mur me tulla, rreth një metër të trashë, dhe më pas hapen tunelin drejt dyqanit të bizhuterive, ku boshatisën dy kasa të sigurta.
Djali i pronarit të dyqanit tha se hajdutët gjithashtu këputën kabllot e sistemit të sigurisë, kështu që nuk u regjistrua asnjë video.
“Babait tim iu deshën mbi 20 vite për t’i mbledhur të gjitha ato, dhe brenda një nate u morën të gjitha. Kryesisht ishte ar, zinxhirë – ne jemi të specializuar në ar – kështu që kryesisht zinxhirë dhe byzylykë. Sidomos tani që ari është në nivelin më të lartë historik, është një goditje e rëndë. Po i thosha atyre të dalim nga kjo punë”, tha djali i pronarit për FOX 11.
Ata besojnë se hajdutëve iu desh rreth një javë për të prerë murin dhe punuan gjatë natës.
Departamenti i Policisë së Los Angelosit është duke hetuar rastin. Nuk dihet sa persona ishin të përfshirë në grabitje dhe nuk është dhënë asnjë përshkrim i të dyshuarve.