Gratë panë një ndeshje të ligës iraniane në stadium për herë të parë në më shumë se 40 vjet

Gratë morën pjesë zyrtarisht në një ndeshje të ligës iraniane për herë të parë që nga Revolucioni Islamik në 1979, raportuan mediat lokale.

Rreth 500 femra ishin në tribunat e stadiumit Azadi në Teheran, ku u luajt ndeshja e ligës vendase të enjten mbrëma. Deri më tani, femrave u është ndaluar të vijnë në stadiumet ku luajnë skuadrat e meshkujve. Ndeshja e fundit që mund të shikonin ishte një kualifikuese e Kupës së Botës tre vjet më parë. Në atë kohë, autoritetet u përkulën nën presion pas vdekjes së 29-vjeçares Sahar Khodayari, e cila i vuri flakën vetes në pritje të gjyqit për përpjekjen për të hyrë në stadium e maskuar si burrë.

Khodayari u bë e njohur si “Vajza Blu” për shkak të ekipit që mbështeti dhe u bë simbol i luftës për të drejtat e grave në Iran.

Mediat iraniane raportuan se vendimi për të lejuar gratë të marrin pjesë në ndeshjen e së enjtes erdhi pasi FIFA u dërgoi një letër autoriteteve iraniane duke u kërkuar atyre që të lejonin gratë në stadium. Ndalimet e këtij lloji janë kundër statuteve ndërkombëtare të futbollit.

Femrat që erdhën në ndeshjen mes Estaqlal dhe Mesa-e Kerman u ulën veçmas nga meshkujt. Shumë valëvitën flamuj, mbanin ngjyrat e klubit dhe brohorisnin “Vajza blu” për nder të Khodayara.

Kategoritë
BotaLajme