Ish-emisari i posaçëm i SHBA-së për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell, ka bërë një koment interesant në profilin e tij në platformën X lidhur me protestat kundër qeverisë aktuale në vendin fqinj.
“Është gjithmonë e rëndësishme të ngresh zërin dhe të dëgjohesh. Megjithatë, të gjithë duhet të dënojnë dhunën dhe të qëndrojnë te protestat paqësore. Procesi demokratik duhet të respektohet. Nuk mbështesim ata që minojnë sundimin e ligjit apo që okupojnë ndërtesat qeveritare. Nëse nuk ju pëlqen një ligj apo një udhëheqës, atëherë punoni për ta ndryshuar atë – por mos u drejtoni dhunës,” shkroi Grenell duke bashkëngjitur një video të protestave në Serbi.
Ky koment është veçanërisht interesant për shkak të lidhjeve që Grenell ka me vendin fqinj, përkatësisht me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Grenell ka qenë një figurë kyçe ndërmjet Donald Trumpit, presidentit të ri të SHBA-së, dhe regjimit të Vuçiqit, duke çuar në nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2020.
Që kur “mori pjesë” në këtë marrëveshje, Grenell ka filluar të mbështesë hapur idetë dhe qëndrimet e afërta me ato të Vuçiqit, përfshirë një deklaratë të diskutueshme në maj të këtij viti, kur kritikoi miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në atë kohë, Grenell tha se “nuk është çdo krim lufte gjenocid” dhe shtoi se ky hap “do të destabilizojë rajonin.”
Në administratën e re amerikane, Grenell shpresonte për një pozitë si Sekretar Shteti, por meqenëse këtë post e mori Marco Rubio, ai u bë i dërguari presidencial për misione të posaçme.