Grenlanda, ishulli më i madh në botë, ka një vendndodhje qendrore në rajonin e Arktikut, i cili po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm pasi akulli po shkrihet dhe hapen rrugë të reja tregtare për shkak të krizës klimatike.
Kryeministri i Grenlandës, Mute Bourup Egede, reagoi ndaj deklaratave të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, se ishulli duhet të jetë nën kontrollin e SHBA-së, duke thënë: “Ne nuk jemi në shitje dhe nuk do të jemi kurrë”.
Grenlanda, ishulli më i madh në botë, ka një vendndodhje qendrore në rajonin e Arktikut, i cili po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm pasi akulli po shkrihet dhe hapen rrugë të reja tregtare për shkak të krizës klimatike.
Ishulli gjithashtu ka rezerva të pasura nëntokësore ndërsa afërsia me SHBA-në si dhe vendndodhja e saj në rrugët kryesore detare shihet si një “përparësi strategjike” për Washingtonin, veçanërisht në kontekstin e rritjes së konkurrencës me Rusinë dhe Kinën.
Trump më 23 dhjetor, në postimin në rrjetin social “Truth Social”, duke përsëritur deklaratën e tij tha se Grenlanda duhet të jetë nën kontrollin e SHBA-së dhe se ishte “domosdoshmëri absolute” pronësia dhe kontrolli mbi ishullin.
“Për qëllime të sigurisë kombëtare dhe lirisë në mbarë botën, SHBA-ja mendon se pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është një domosdoshmëri absolute”, shkroi Trump.
Kjo deklaratë e Trumpit shkaktoi reagime, përfshirë edhe nga zyrtarë të Grenlandës.
Kryeministri i Grenlandës, Egede, në deklaratën për Anadolu tha se Grenlanda “nuk është në shitje”. “Grenlanda i takon popullit të Grenlandës. Ne nuk jemi në shitje dhe kurrë nuk do të jemi në shitje. Nuk do të humbim luftën tonë të gjatë për liri”, tha ai.
Më tej Egede theksoi se janë të hapur për bashkëpunim dhe tregti me gjithë botën përfshirë vendet fqinje. “I gjithë bashkëpunimi dhe tregtia nuk mund të bëhet përmes Danimarkës. Të gjitha bashkëpunimet me ne duhet të bazohen në vlerat tona”, u shpreh ai.
Pse Grenlanda është e rëndësishme për SHBA-në?
SHBA-ja, e cila nuk e fsheh interesin e saj për Grenlandën, e forcoi praninë e saj në rajon duke bërë investime të konsiderueshme dhe duke krijuar një bazë ushtarake këtu, veçanërisht gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
SHBA-ja ka mbajtur prej kohësh një prani ushtarake në këtë rajon përmes bazës ajrore “Thule”, e cila ndodhet në Grenlandë dhe është kritike për sistemet e paralajmërimit të hershëm kundër sulmeve me raketa.
Vendndodhja strategjike e bazës i lejon SHBA-së të monitorojnë aktivitetet në Polin e Veriut dhe Atlantik, duke ndihmuar në sigurimin e sigurisë kombëtare.
Përtej shqetësimeve ushtarake, Grenlanda është e pasur me burime natyrore, përfshirë minerale, metale të rralla të tokës dhe rezerva nafte, duke e bërë ishullin “tërheqës” për SHBA-në.
Tërheq vëmendjen se burimet që ishulli i posedon janë minerale që nevojiten për teknologjitë e avancuara, përfshirë elektronikën, energjinë e ripërtëritshme dhe automjetet elektrike.
Përderisa Grenlanda ka rezerva të rëndësishme të uraniumit, arit, zinkut dhe materialeve të ndryshme kritike, SHBA-ja dëshiron ta ul varësinë e saj ndaj Kinës lidhur me mineralet e rralla të tokës.
Vendimi për rihapjen e konsullatës amerikane në Nuuk në vitin 2020, kryeqytetin e Grenlandës, të cilën e mbylli në vitin 1953, u vlerësua si synim i “lehtësimit të komunikimit dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në projektet që lidhen me energjinë e rinovueshme dhe burimet minerale”.
Trump në vitin 2019 ofroi “blerjen” e ishullit
Rajoni i Arktikut, në qendër të të cilit ndodhet Grenlanda, është bërë një rajon ku Rusia, Kina dhe SHBA-ja kanë luftuar për ndikim gjatë viteve.
Trump gjithashtu dëshiron të forcojë ndikimin e SHBA-së në Polin e Veriut për të kundërshtuar zgjerimin ushtarak të Rusisë dhe praninë në rritje të Kinës në rajon.
Ai gjithashtu dëshiron të rrisë ndikimin ekonomik të SHBA-së në rajonin e Arktikut dhe të përfitojë nga burimet e pasura të Grenlandës, shprehu dëshirën e tij për të blerë ishullin nga Danimarka në mandatin e tij të parë.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e hodhi poshtë këtë ofertë të bërë nga Trump në vitin 2019, duke e quajtur atë “absurde”.
Edhe më parë erdh në rend dite
Grenlanda, një rajon autonom i Danimarkës, ka marrëdhënie historike si me SHBA-në ashtu edhe me Danimarkën, të formuara nga interesat gjeopolitike, strategjia ushtarake dhe shqetësimet ekonomike.
Duke mbuluar një sipërfaqe prej më shumë se 2 milionë kilometra katrorë, ishulli u bë një koloni pasi Mbretëria e Danimarkës-Norvegjisë mori kontrollin në vitin 1721.
Grenlanda hyri nën mbrojtjen e SHBA-së gjatë pushtimit gjerman të Danimarkës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe iu kthye Danimarkës në vitin 1945.
Danimarka i dha Grenlandës të drejtën e vetëqeverisjes në vitin 1979 ndërsa në vitin 2009 autonomia u zgjerua, duke i dhënë ishullit kontroll më të madh mbi punët e tij të brendshme.
Kështu, Grenlanda kishte një qeveri të brendshme me autoritet mbi shumicën e çështjeve të brendshme, duke përfshirë arsimin, shëndetin, burimet natyrore dhe zbatimin e ligjit.
Nga ana tjetër, Danimarka vazhdoi të mbikëqyrë çështjet si politikat e jashtme dhe të mbrojtjes në Grenlandë.
Grenlanda u bë një rajon i rëndësishëm strategjik, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë pushtimit të Gjermanisë, SHBA-ja ngriti një bazë ushtarake në vitin 1943 për të mbrojtur interesat e saj në Atlantikun e Veriut.
Në vitin 1946, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Harry Truman, propozoi blerjen e Grenlandës nga Danimarka për 100 milionë dollarë ar. Propozimi i Trumanit përfshinte tre opsione: forcimi afatgjatë i bazave ushtarake amerikane në Grenlandë, Danimarka të pranojë mbrojtjen ushtarake të SHBA-së dhe një blerje të drejtpërdrejtë të rajonit.
Edhe pse Danimarka e refuzoi këtë ofertë, ajo lejoi SHBA-në të vazhdonte praninë e saj ushtarake në ishull.