Greqi, 46 të vdekur nga përplasja e trenave

Të paktën shtatë trupa të tjerë u gjetën sot, njoftoi media shtetërore

Numri i të vdekurve nga përplasja e trenave të martën në veri të Greqisë është rritur në 46, ndërsa të paktën dhjetë persona janë ende të zhdukur, tha media shtetërore, transmeton Anadolu.

Punonjësit e shpëtimit, përfshirë zjarrfikësit, po kërkojnë të mbijetuar pasi treni i pasagjerëve që transportonte më shumë se 350 persona u përplas me një tren mallrash në qytezën Tempi, afër qytetit të Larisës, duke shkaktuar që vagonët e përparmë të dalin nga shinat dhe të shpërthejnë në flakë.

Të paktën shtatë trupa të tjerë u gjetën sot, sipas transmetuesit publik ERT.

Të paktën 72 pasagjerë të plagosur u shtruan në spital, ku 15 prej tyre u liruan, njoftohet më tej.

Në mesin e viktimave gjendeshin nëntë punonjës hekurudhorë dhe studentë universiteti që ktheheshin në shkollë në qytetin e Selanikut nga Larisa dhe Athina.

Nikos Sguris, një nga shpëtimtarët, tha për Anadolu se trenat u përplasën pasi të dy po lëviznin me shpejtësi të madhe dhe zjarri u ndez më tej nga vaji i gatimit i ruajtur në zonën e restorantit.

Vasilis Iliopoulos, një tjetër shpëtimtar vullnetar, tha se gjasat janë minimale që dikush të dalë i gjallë nga rrënojat e përplasjes.

Ndërkohë, mjeshtri i stacionit në Larisa, i cili u arrestua pas aksidentit, do të dalë para prokurorit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve AMNA.

Agjencia tha se drejtuesi i stacionit po konsiderohet përgjegjës për aksidentin, në të cilin dy trena që lëviznin në drejtime të kundërta përfunduan në të njëjtën linjë në një përplasje të drejtpërdrejtë, dhe do të akuzohet për vrasje nga pakujdesia, lëndim trupor nga pakujdesia dhe ndërhyrje të rrezikshme në mjetet e transportit.

Kategoritë
BotaLajme