Greqi, punonjësit e hekurudhës në grevë pas aksidentit tragjik hekurudhor

Greva 24-orëshe është thirrur nga Federata greke e Punonjësve Hekurudhorë (POS)

Punonjësit e hekurudhave greke filluan sot grevën pas aksidentit tragjik hekurudhor në veri të vendit ku të paktën 42 persona mbetën të vdekur, transmeton Anadolu.

Greva 24-orëshe është thirrur nga Federata greke e Punonjësve Hekurudhorë (POS), e cila pretendon se aksidenti është rezultat i neglizhencës së qeverive, shkroi e përditshmja “Avgi”.

“Fatkeqësisht, kërkesat tona të vazhdueshme për rekrutimin e stafit të përhershëm, trajnim më të mirë dhe mbi të gjitha aplikimin e teknologjive moderne të sigurisë, hidhen përgjithmonë në koshin e mbeturinave”, thuhet në deklaratën e sindikatës.

Në një zhvillim të ngjashëm të mërkurën në mbrëmje, një grup prej rreth 1.000 personash u përleshën me policinë në trazirat që shpërthyen para selisë së kompanisë “Hellenic Train” në Athinë.

Protestat shpërthyen lidhur me aksidentin tragjik hekurudhor në Tempi.

Numri i viktimave në përplasjen mes dy trenave është rritur në 42 ndërsa të paktën 15 persona janë ende të zhdukur. Të paktën 72 pasagjerë të plagosur u shtruan në spital dhe 57 prej tyre ende janë nën trajtim në spitale të ndryshme në qytetet e afërta.

Kategoritë
BotaLajme