Greqia: Çështja e dëmshpërblimit të Luftës së Dytë Botërore me Gjermaninë ende në tryezë

“Presim diskutime dhe zgjidhje me qeverinë gjermane”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë greke, Akis Skertsos

Greqia riafirmoi se çështja e dëmshpërblimeve të pasluftës me Gjermaninë mbetet e hapur për diskutim, raporton Anadolu.

“Qëndrimi i qeverisë për dëmshpërblimet e luftës dhe kredisë së pushtimit është i qartë dhe është shprehur në takimin e fundit të kryeministrit me kancelarin gjerman (Olaf) Scholtz”, tha në një deklaratë zëdhënësi i qeverisë, Akis Skertsos.

“Presim diskutime dhe zgjidhje me qeverinë gjermane, duke patur parasysh vështirësitë dhe çështjet ligjore”, shtoi ai. Skertsos tha se mungesa e marrëveshjes së deritanishme për këtë çështje midis dy vendeve nuk ka lënë njollë në marrëdhëniet e tyre dypalëshe.

Në Athinë janë shtuar zërat për dëmshpërblime lufte nga Gjermania që kur Greqia u zhyt në krizë të rëndë financiare në vitin 2010. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Fuqitë e Boshtit pushtuan Greqinë për më shumë se tre vjet përpara tërheqjes së Gjermanisë në vitin 1944.

Zyra e Përgjithshme e Kontabilitetit të Greqisë vlerësoi në vitin 2015 se Gjermania i detyrohej rreth 279 miliardë euro (305 miliardë dollarë) dëmshpërblime me 10.3 miliardë euro shtesë për rimbursimin e huasë së detyruar gjatë luftës.

Berlini i ka hedhur poshtë vazhdimisht pretendimet duke thënë se ka respektuar detyrimet e tij, përfshirë një pagesë prej 115 milionë markash gjermane për Greqinë në vitin 1960.

Kategoritë
BotaLajme