Administrata për Fatkeqësit dhe Emergjencat e Turqisë (AFAD) njoftoi se që nga 28 janari janë regjistruar mbi 400 tërmete në Detin Egje, nga të cilët më i fuqishmi ka qenë me magnitudë 4.8.
Më shumë se 100 tërmete janë regjistruar në 48 orët e fundit, me magnituda që variojnë nga 1.3 deri në 4.8, njoftoi të dielën AFAD.
“Tërmetet kanë treguar një rritje të aktiviteteve rreth 25 kilometra në verilindje të ishullit Santorini, në thellësi mes 5 dhe 25 kilometrave. Tërmeti më i afërt me bregdetin tonë ndodhi në një distancë prej 140 kilometrash. Në vitet 2011-2012, në të njëjtën rajon u vu re një aktivitet i ngjashëm sizmik i zgjatur për 14 muaj, por pa shkaktuar ndonjë aktivitet vullkanik”, deklaroi AFAD.
Mediat njoftuan të hënën se disa tërmete janë regjistruar në të gjithë rajonin mes datave 1 dhe 3 shkurt në mesnatë, çka ka bërë që njerëzit të flenë jashtë, ndërsa disa të tjerë kanë udhëtuar me avionë ose tragete për t’u larguar.
Burimet greke kanë bërë të ditur se mbi 200 tërmete të vegjël janë regjistruar në det ose në ishujt përreth, ndërsa më i fuqishmi, me magnitudë 4.6, ka goditur ujërat mes Santorinit dhe Amorgosit të dielën pasdite.
Një tërmet me magnitudë 4.2 u regjistrua të hënën në orën 7:10 të mëngjesit (5:10 sipas orës GMT) në veriperëndim të ishullit të vogël Anafi, pranë Santorinit, njoftoi Instituti i Gjeodinamikës i Observatorit Kombëtar të Athinës.
Efthymios Lekkas, kreu i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet, tha të hënën për transmetuesin publik ERT se ekziston “një mundësi e ulët për një tërmet me magnitudë 5.5”, por përjashtoi mundësinë e një tërmeti mbi magnitudën 6.
Mediat greke raportojnë se disa njerëz e kanë kaluar natën jashtë, në makina ose në zona që janë shpallur të sigurta nga autoritetet.
Shumë të tjerë kanë lënë ishullin me avionë ose tragete, sipas mediave. Shkollat në ishull, ku janë rreth 15,500 nxënës, u mbyllën të hënën.
Autoritetet greke kanë kërkuar nga qytetarët të shmangin grumbullimet e mëdha në ambiente të mbyllura dhe të qëndrojnë larg porteve të caktuara, ndërtesave të braktisura dhe pishinave bosh.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mblodhi një takim urgjent të dielën në mbrëmje për të diskutuar situatën.
Takimi, ku morën pjesë zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë, u përqendrua në tërmetet e fundit dhe masat e mundshme për përgatitjen ndaj një tërmeti më të madh.