Greqia kundërshton zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza dhe Bregu Perëndimor

Pas takimit me homologun e tij jordanez, kryediplomati grek tha se “çdo skenar që mund të çojë në trazira dhe pasiguri të mëtejshme, duke përfshirë zhvendosjen e popullsisë nga Gaza ose Bregu Perëndimor, duhet të parandalohet”

Greqia ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj çdo plani për të zhvendosur palestinezët nga territori i tyre, duke kundërshtuar propozimin e fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, transmeton Anadolu.

Pas takimit në Aman me homologun e tij jordanez, Ayman Safadi, ministri grek i Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis, tha se “çdo skenar që mund të çojë në trazira dhe pasiguri të mëtejshme, duke përfshirë zhvendosjen e popullsisë nga Gaza ose Bregu Perëndimor, duhet të parandalohet”.

Propozimi i kritikuar gjerësisht i Trumpit sugjeroi se palestinezët në Gaza mund të ri-vendosen në Jordani dhe Egjipt.

Gerapetritis tha se armëpushimi aktual në Gaza dhe marrëveshja për lirimin e pengjeve mund të jetë një pikë kthese dhe hap pozitiv drejt garantimit të stabilitetit në rajonin më të gjerë.

“Prioriteti ynë i menjëhershëm duhet të jetë që ndihma humanitare të rrjedhë në mënyrë të papenguar dhe në sasi më të mëdha në të gjitha pjesët e Gazës për të lehtësuar vuajtjet e civilëve”, theksoi Gerapetritis.

“Për më tepër, nisja e një procesi më të gjerë politik do të rezultonte në një shtet palestinez. Zgjidhja me dy shtete duhet të jetë vizioni përfundimtar për të gjithë ne, duke garantuar plotësisht sigurinë e Izraelit”, shtoi ai.

Për Sirinë pas rrëzimit të regjimit të Asadit, Gerapetritis tha se është thelbësore të ruhet uniteti, pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Sirisë.

Sipas tij, periudha e tranzicionit në Siri “duhet të jetë e qetë dhe gjithëpërfshirëse, me të gjitha grupet fetare dhe etnike në të ardhmen e saj, në frymën e Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe pa ndërhyrje të huaja”.

Më herët, ministri grek u prit në takim edhe nga Mbreti i Jordanisë, Abdullah II.

Kategoritë
BotaLajme