Pier Antonio Panzeri është një nga figurat kryesore të hetimit për korrupsion në Parlamentin Evropian
Gruaja dhe vajza e ish-deputetit italian të Parlamentit Evropian (PE), Pier Antonio Panzeri, i cili është mes katër personave të arrestuar në hetimet për korrupsion, janë liruar nga arresti shtëpiak, raporton Anadolu Agency (AA).
Gruaja e Pier Antonio Panzerit, Maria Dolores Colleoni dhe vajza Silvia Panzeri u arrestuan më 9 dhjetor në kuadër të hetimit për një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në historinë e BE-së.
Të enjten u raportua se Panzeri filloi bashkëpunimin me drejtësinë belge në hetim, gjë që ndikoi në vendimin e autoriteteve belge, sipas kanalit italian Ranews24.
Eva Kaili, anëtare greke dhe ish-zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian, u arrestua më 9 dhjetor nga policia belge me akuza për korrupsion, e cila dyshohet se ka kryer shërbime për Katarin.
Panzeri, ish-anëtar i S&D i Parlamentit Evropian nga Italia, i cili kryesonte nënkomisionin e parlamentit për të drejtat e njeriut, ishte gjithashtu në mesin e të arrestuarve.
Ai është një nga figurat kryesore të hetimit nën dyshimet për ryshfet në Parlamentin Evropian.
Megjithëse Katari i mohon fuqishëm akuzat, deri më tani, sipas prokurorëve, katër persona janë arrestuar dhe akuzuar për “pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”.