Korrespondenti i Anadolu-t raportoi se dorëzimi i tre pengjeve te Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq u realizua në qytetin Khan Younis në Rripin e Gazës jugore, ndërsa Izraeli në këmbim do të lirojë 369 të burgosur palestinezë.
Brigadat Al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit dhe Saraya Al-Quds, fraksioni i armatosur i Xhihadit Islam, kanë dorëzuar tre pengjet izraelite në shkëmbimin e gjashë në kuadër të marrëveshjes së vazhdueshme të shkëmbimit të të burgosurve me Izraelin.
Korrespondenti i Anadolu-t raportoi se dorëzimi i pengjeve Alexander (Sasha) Turbanov, Sagui Dekel-Chen dhe Yair Horn te Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq u realizua në qytetin Khan Younis në Rripin e Gazës jugore.
Brigadat Al-Qassam gjithashtu i ndanë njërit prej pengjeve izraelite një orë rëre me fjalët “Koha po mbaron” në tre gjuhë, të destinuar për qeverinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Shkëmbimi është pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit.
Izraeli në këmbim të tre pengjeve të liruar sot do të lirojë 369 të burgosur palestinezë në kuadër të marrëveshjes.
Në pesë shkëmbimet e fundit, Hamasi liroi 16 izraelitë në këmbim të 766 palestinezëve të liruar nga burgjet izraelite, duke përfshirë gra dhe fëmijë.
Më 19 janar, marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi në Gaza, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë të paktën 48.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.