Mossad dhe CIA u kishin caktuar këtyre spiunëve disa detyra, duke përfshirë “mbledhjen e informacionit mbi ekspertët, laboratorët, platformat e lëshimit, sistemet raketore dhe dronët që shënjestrojnë armikun sionist…”
Grupi jemenas Houthi ka njoftuar arrestimin e disa spiunëve në Jemen, të cilët dyshohet se punonin për agjencinë izraelite të inteligjencës Mossad dhe Agjencinë Qendrore të Inteligjencës në SHBA (CIA), transmeton Anadolu.
“Agjencitë e sigurisë, ditët e fundit, kanë arrestuar një numër spiunësh të rekrutuar nga i kërkuari Hamid Husseid Fayed Majali”, njoftoi kanali televiziv ‘Al-Masirah, i lidhur me grupin Houthi, duke cituar një deklaratë të lëshuar nga grupi.
Deklarata, e cila nuk përmendi kombësinë e spiunëve të dyshuar të arrestuar, shpjegoi se Mossad dhe CIA u kishin caktuar këtyre spiunëve disa detyra, duke përfshirë “monitorimin dhe mbledhjen e informacionit mbi ekspertët, laboratorët, platformat e lëshimit, sistemet raketore dhe dronët që shënjestrojnë armikun sionist (Izraelin), si dhe vendndodhjet e forcave detare, kampet dhe depot e armëve”.
Në deklaratë gjithashtu u tha se detyrat përfshinin “gjurmimin dhe mbledhjen e informacionit mbi vendndodhjen e liderit të tyre, Abdul-Malik al-Houthi, së bashku me udhëheqës të tjerë politik, ushtarak dhe të sigurisë”.
Spiunët dyshohet se u udhëzuan t’i sigurojnë koordinatat e këtyre vendndodhjeve të kërkuarit Hamid Majali, i cili më pas do t’ia transmetonte Mossad-it për të lehtësuar shënjestrimin nga forcat ajrore të SHBA-së, Izraelit dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas grupit jemenas, këta spiunë u ngarkuar edhe me “përpjekje për të infiltruar, rekrutuar dhe mbjellë agjentë brenda forcave të armatosura dhe aparatit të sigurisë”.
Rebelët Houthi në Detin e Kuq kanë vënë në shënjestër anijet izraelite të ngarkesave ose ato të lidhur ame Tel Avivin me raketa dhe dronë në shenjë mbështetjeje me Rripin e Gazës, ku të paktën 45.400 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit që nga 7 tetori i vitit 2023.