‘Grusht shteti’ në Kanada, qindra kamionë mësynë në kryeqytet, kamionistët kërkojnë heqjen e vaksinimit me detyrim

Disa qindra kamionistë kanë drejtuar të gjitha mjetet e tyre pranë selisë së Parlamentit të Kanadasë e më pas në të gjithë qytetin për shkak të masave anti-covid dhe pasaportës së vaksinës veçanërisht.

Qindra kamionë kanë mësyrë në kryeqytetin e Kanadasë, Otava në formë proteste kundër vaksinimit me detyrim.

Me flamuj kanadezë e banderola me thirrje për liri dhe sharje për kryeministrin Justin Trudeau, kamionistët iu bashkuan mijëra protestuesve të tjerë të zemëruar nga masat anti-covid.

Një drejtues kamioni thotë se ka ardhur në protestë për të luftuar për bërjen e vaksinës me vullnet të lirë.

“Kjo autokolonë ka të bëjë vetëm me lirinë, nuk është vetëm e shoferëve të kamionëve, por në fakt për çdo person, për ty, për mua, për të gjithë nuk ka rëndësi. Gjithçka ka të bëjë me zgjedhjen tuaj të lirë, kështu duhet të jetë. Siç thashë, nëse je vaksinuar, ke bërë shumë mirë, por shumica e njerëzve e kanë bërë për shkak të punës, por ti duhet ta marrësh vaksinën me vullnetin tënd të lirë, duhet të jetë zgjedhja jote.”

Një shofer tjetër, thotë se po proteston për fëmijët kanadezë, pasi jeta nën masat anti-covid është bërë e vështirë.

“Kemi ardhur për të mbështetur këtë kauzë, për një jetë më të mirë për fëmijët tanë dhe për t’i kthyer gjërat në normalitet përsëri. Gjërat janë bërë të vështira, nuk mund të marrësh për të ngrënë, apo të blesh ujë nëse nuk ke maskë. Nuk mund të shkosh në dyqan pa maskë. Do të doja që jeta të kthehet përsëri në normalitet.”

Lëvizja e kamionistëve filloi javën e kaluar, pasi qeveria kanadeze urdhëroi shoferët të vaksinohen kundër Covid-19.

Kryeministri i vendit, Justin Trudeau reagoi i shqetësuar lidhur me protestat e kamionistëve, duke i quajtur kundërshtarë të shkencës dhe të shoqërisë.

Protesta e shoferëve mori edhe bekimin e themeluesit të Tesla-s dhe Space X, Elon Musk, i cili shkroi në Twitter se ‘kamionistët kanadezë sundojnë’.

Kategoritë
BotaLajme