Guardiola doli në konferencë pas ndeshjes me gërvishtje të mëdha në kokë, trajneri shpjegoi se çfarë ndodhi

Pep Guardiola po përjeton një seri të paprecedentë të keqe në bankinën e Manchester Cityt, pasi Qytetarët nuk mundën askënd në nëntor dhe mbrëmë nuk arritën të fitojnë në mënyrë të dhimbshme ndaj Feyenoordit në Ligën e Kampionëve.

Në Etihad, Qytetarët kryesuan me rezultat 3-0 deri në minutën e 75-të, por në fund holandezët u rikthyen për mrekulli dhe fituan një pikë, pasi përfunduan lojën me barazim 3-3.

Guardiola doli në konferencë pas ndeshjes dhe menjëherë të gjithë vunë re gërvishtjet në kokën e tij. E gjithë koka i ishte gërvishtur, dhe gjaku në hundë binte në sy.

“Me gishtat e mi”, tha Guardiola kur u pyet se si ishin bërë gërvishtjet, më pas shtoi: “Doja të lëndoja veten”.

Kujtojmë se City shko në epërsi 3-0 ndaj Feyenoordit me golat e Erling Haaland (44’, 53’) dhe Ilkay Gundogan (50’), ndërsa Hadj Moussa, Gimenez dhe Hancko i sollën Feyenoordit golat e barazimit në fund.

Mbrëmë, City u bë skuadra e parë në historinë e Ligës së Kampionëve që shkonte 3-0 deri në 15 minuta para përfundimit të ndeshjes dhe në fund mbeti pa fitore. Askush nuk ka pasur kurrë këtë “sukses”.

City ka mbetur vetëm në vendin e 15-të në tabelën e Ligës së Kampionëve me 8 pikë, ndërsa Feyenoord është në vendin e 20-të me një pikë më pak.

Skuadra e Guardiolës nuk ka fituar asnjë ndeshje në nëntor dhe është në një krizë të paprecedentë, duke shkuar në pesë humbje radhazi dhe një barazim.

Kategoritë
Sport