Guterres përsërit angazhimin për denuklearizimin e Koresë së Veriut

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, priti Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së në Seul

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres përsëriti angazhimin e OKB-së për denuklearizimin “e plotë” të Koresë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, priti Guterresin në kryeqytetin Seul.

Guterres theksoi angazhimin e OKB-së për denuklearizim “të plotë, të pakthyeshëm dhe të demonstrueshëm” të Koresë së Veriut dhe Gadishullit Korean.

Sekretari i Përgjithshëm Guterres tha se i përcjelli Yoon-it se ka qëllim themelor për të sjellë paqe, siguri dhe stabilitet në të gjithë rajonin.

Guterres dje gjithashtu u takua edhe me ministrin e Jashtëm të Koresë se Jugut, Park Jin.

Park tha se komuniteti ndërkombëtar i udhëhequr nga OKB-ja duhet të dërgojë një mesazh “të vështirë dhe të përbashkët”, se aspiratat e Koresë së Veriut për armë bërthamore nuk mund të tolerohen.

Park i bëri thirrje OKB-së për të gjetur një zgjidhje efektive për çështjen bërthamore të Koresë së Veriut, ndërsa Guterres shprehu mbështetjen për përpjekjet paqeruajtëse të Koresë së Jugut në gadishull.

Dialogu për denuklearizimin e Gadishullit Korean ngeci pas takimit të fundit në Hanoi në vitin 2019.

Koreja e Veriut ka filluar testimin e raketave të reja këtë vit.

Ka gjithashtu informacione se Pheniani ka përfunduar përgatitjet për testin e saj të shtatë të njohur bërthamor.

Kategoritë
BotaLajme