Dega e Parisë “Guxo” në Ferizaj është tërhequr plotësisht dhe do të pushojë aktivitetin e saj politik me të gjitha strukturat në zgjedhjet nacionale të vitit 2025.
Lajmin e bën të ditur në faqen zyrtare të partisë në “Facebook”.
Në njoftimin e kësaj dege të Listës Guxo thuhet se Donika Gërvalla dhe Faton Peci, kanë vendosur të ndjekin interesat personale.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“Informatë për publikun!
DEKLARATË:
– Në mbledhjen e mbajtur më 09.12.2024 të Kryesisë së Partisë GUXO – Dega Ferizaj, u diskutua cështja e zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit 2025 dhe përfaqësimi ynë në garë me kandidatë të mundshëm për deputetë, duke pasur parasyshë që jemi ndër degët më të organizuara të Partisë GUXO në nivel nacional, e cila degë në nivel qëndror përfaqësohet me 2 deputetë dhe me dy asambleiste në Kuvendin Komunal – Ferizaj, duke shpërfaqur potencial votash të cilën nuk e ka pasur asnjë degë e Partisë GUXO në nivel shteti.
– Pas diskutimeve të shumta në frymën e demokracisë së mirëfilltë dhe respektimit të mendimeve të ndryshme, me shumicë votash në kryesi, u mor vendim që Dega e Partisë GUXO – Ferizaj, të tërhiqet plotësisht dhe të pushojë aktivitetin e saj politik me të gjitha strukturat e saja në zgjedhjet nacionale të vitit 2025, duke qenë të vendosur që të qëndrojmë brenda kauzës së saj politike dhe identitetit politik.
– Shkaqet që çuan deri te ky vendim janë:
1. Ndjekja e interesave puro personale të dy Bashkëkryetarëve, znj. Donika Gërvalla dhe z. Faton Peci dhe anashkalimi i interesave të partisë, gjë e cila e ka dëmtuar dhe po e dëmton ekzistencën, qëndrueshmërinë dhe përfaqësimin e interesave të përbashkëta të anëtarësisë, duke cenuar dhe vazhdueshmërinë e saj.
2. Mosrespektimi i propozimit të Këshillit të Përgjithshëm që të mbajmë e të ruajmë identitetin tonë politikë në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.
3. Shkelja dhe përbaltosja e maksimës dhe motos tonë që: “E Ardhmja u Takon Atyre që Guxojnë”!
4. Shkeljet hierarkike partiake.
5. Mbyllja totale dhe mungesa e komunikimit me strukturat partiake”.